Kushëriri i Ervis Martinit, pronarit të disa bizneseve në Tiranë, i cili ishte protagonist i një përplasje me armë disa muaj më parë në zonën e ish-bllokut, është gjetur i plagosur rëndë me armë zjarri në anë të një rruge në Laç. Edon Martini 19 vjeç nga Fushë Kuqja e Kurbinit është qëlluar me armë pasditen e së shtunës në hyrje të qytetit në rrugën kryesore në lagjen nr.1.
I plagosur rëndë, ai është gjetur nga kalijmtarët dhe menjëehrë u transportua në spitalin rajonal, ku iu dha ndihma e parë dhe më pas është dërguar në Tiranë te Trauma për ndërhyrje më të specializuar, pasi ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Policia deklaron se plagosja ka ndodhur në rrethana të paqarta, ndërsa ka nisur hetimet dhe janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.
I riu mësohet se është kushëri i parë i Ervis Martinit, i cili është i dyshuar në përplasjen me armë zjarri në zonën e ish-bllokut në Tiranë në tetor të vitit të kaluar, ku mbeti një i vdekur. Martini mbeti i plagosur nga ngjarja, ndërsa pas 7 muajsh në burg u lirua në maj të këtij viti kundrejt garancisë pasurore në vlerën e 5 milionë lekësh të rinj. Prokuroria e Tiranës ka ngritur 7 akuza, ndërsa vetëm pak javë më parë, Bashkia e Tiranës shembi lokalin e tij “Bilionaire”.