Plagosi 3 persona në Itali, shpallet në kërkim shqiptari i rrezikshëm

AKTUALITET


Një 55-vjeçar shqiptarë ka ngritur në këmbë policinë italiane, pasi ka plagosur 3 persona në Bibione dhe ka arritur të arratiset.

Në mbështetje të policisë janë edhe karabinierët e Portogruaros, të cilët po hetojnë rastin dhe po përpiqen të lokalizojnë shqiptarin.

“Kushdo që ta shohë, kërkohet të kontaktojë në numrin e urgjencës 112”, shkruajnë karabinierët.

Sipas medieve italiane të shtënat kanë ndodhur 3 ditë më parë, më 27 qershor në një resort në bregdet, fillimisht në via Pirano dhe më pas në parkingun e një pallati mes via Andromeda dhe via della Vega.

Sipas policisë, shqiptari ka qëlluar 3 herë. Të plagosurit janë 2 shqiptarë dhe një italian.

Njëri prej shqiptarëve, 30 vjeç ka marrë një plumb në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Hetimet koordinohen nga Prokuroria Publike e Pordenones.

I kërkuari u dënua 22 majin e kaluar për kanosje me thikë ndaj njërit prej tre të plagosurve, siç konfirmohet nga burime hetimore. Nuk përjashtohet që ky konflikt i mbartur të jetë motivi i plagosjeve.

Autoritetet ngrenë alarmin se shqiptari mund të jetë ende i armatosur. Karabinierët kanë ngritur disa postblloqe në vende të ndryshme të zonës.



Skip to toolbar