Policia e Shtetit dha informacion zyrtar për ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e të dielës në zonën e “Alliasit” në Tiranë. Sipas uniformave Blu, kanë qenë dy persona, ende të paidentifikuar, që janë futur në banesën e çiftit të bashkëshortëve me inicialet P.L., dhe A.L. Në momentin kur ata janë konstatuar nga çifti, njëri prej personave ka qëlluar me armë.
“Rreth orës 21:40 në rrugën “Njazi Meka”, 2 persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e çiftit të bashkëshortëve P.L dhe A.L. Në momentin që janë konstatuar nga çifti i bashkëshortëve njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të çiftit.
Si pasojë janë plagosur çifti i bashkëshortëve P. L dhe A. L, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjeksore. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka ngritur pika kontrolli. Vijon krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gupi hetimor vijon punën pēr sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia.