Policia dhe grupi hetimor kanë bërë të ditura detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, më 27 janar, në lagjen Kodër Shijak, ku një shtetas mbeti i plagosur me armë zjarri.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, incidenti ka nisur si pasojë e një mosmarrëveshjeje që lidhet me një femër. I plagosuri, shtetasi D. Ç., 45 vjeç, është dhunuar fillimisht fizikisht nga dy kushërinj, D. F., 35 vjeç, dhe I. F., 38 vjeç, para se të qëllohej me armë.
Hetimet paraprake bëjnë të ditur se konflikti ka nisur pasi D. Ç. dyshohet se kishte ngacmuar një vajzë, e cila ishte në një lidhje me shtetasin D. F. Ngjarja u agravua, pasi vajza po merrte mesazhe të përsëritura nga D. Ç., të cilat ajo i fshinte për të shmangur përplasjen e 45-vjeçarit me partnerin e saj.
Sipas burimeve hetimore, pasi D. F. kërkoi të mësonte se kush po i shkruante të dashurës së tij, ai u informua mbi identitetin e D. Ç. Pas kësaj, D. F. së bashku me kushëririn e tij I. F., janë drejtuar drejt banesës së D. Ç., ku e kanë sulmuar fizikisht me grushte dhe shkelma Në vijim të dhunës, sipas hetimeve, ata i kanë drejtuar pistoletën D. Ç.-së, fillimisht në kokë dhe më pas në brinjë, duke e qëlluar një herë dhe duke e lënë të plagosur rëndë. I plagosuri fillimisht është transportuar në Spitalin e Durrësit, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, dy kushërinjtë D. F. dhe I. F. janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka nisur kontrolle intensive për kapjen e tyre, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Policia kishte njoftuar më herët se një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e 27 janarit, rreth orës 22:30, duke bërë të ditur se i dyshuari për plagosjen janë dy kushërinjtë e moshës 35 dhe 38 vjeç
