Tifogrupi nga Kosova, Plisat kanë marrë përsipër përgjegjësinë e çantës së bllokuar me fishekzjarre nga policia, duke deklaruar se ato ishin të deklaruara dhe jo të fshehura dhe që i kishin blerë me kupon tatimor për atmosferë jashtë stadiumit, por që policia i ka vonuar katër orë në kufi. “Dikujt i interesonte të na ndalte, por nuk do ndalemi kurrë për Shqipërinë”, kanë reaguar Plisat
“Sot gjatë kalimit të kufirit, në doganë jemi ndaluar plot 4 orë nga Policia Shqiptare, nën pretekstin se posedojmë gjëra jo të lejueshme për ndeshjen Shqipëri-Francë. Argumentet tona ishin të qarta e posedonim kuponin fiskal të piroteknikës. Nuk e kemi fshehur bagazhin me piroteknikë, por e kemi kaluar në procedura të rregullta. Qëllimi i piroteknikave ishte ndezja e tyre në qytet, e asesi brenda stadiumit. Por, prapë se prapë gjithë këto për Policinë e Shtetit nuk ishin të mjaftueshme që ta vazhdonim rrugën tonë drejt Tiranës, dhe si rrjedhojë na janë konfiskuar 200 tymuese”, deklarojnë ata.
Sipas tyre, kjo është bërë se prezenca e tyre në stadium nuk është e mirëpritur nga ndokush. “Mendojnë se me intrigat e tyre mund të e ndalojnë kauzën tonë shumëvjeçare si Plisa. Andaj, ju bëjmë me dije se gjithë këto nuk do të na ndalin”, deklarojnë ata në reagimin e tyre.