Shtetasi Nezir Mehmetaj, i cili prej vitesh jeton në Zvicër është arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Merdarës nga autoritetet serbe, teksa po kthehej në Kosovë për të vizituar nënën e sëmurë.
Prokuroria për Krime Lufte e Beogradit njoftoi se e ka arrestuar shtetasin Mehmetaj dhe ndaj tij ka vënë masë ndalimi për 48 orë.
Lidhur me arrestimin e Mehmetajt, ka reaguar ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, i cili ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.
Pacolli ka thënë se zyra e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Mehmetajt. “Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Pacollit.