Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pasditen e sotme për gjendjen shëndetësore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Duke cituar spitalin në Athinë ku ai po kurohet, Kisha bën me dije se, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas ndodhet në gjendje kritike dhe po ndiqet nga mjekët specialistë në spitalin “EVANGJELISMOS”.
Reagimi i plotë:
Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë, zotit Anastas:
Gjendja aktuale shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë, zotit Anastas, vlerësohet nga mjekët trajtues si kritike.
NGA ADMINISTRATA E SPITALIT “EVANGJELISMOS”.
Mediet greke raportuan se shëndeti i klerikut filloi të përkeqësohej mbrëmjen e së shtunë (4 janar). Kryeministri Kirjakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) e vizitoi të dielën klerikun në spital për t’u informuar mbi ecurinë e trajtimit të tij.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u transportua me avion të Forcave Ajrore nga Shqipëria mesditën e 3 janarit dhe u shtrua në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku aktualisht ndodhet në terapi intensive.
“Shëndeti i Kryepeshkopit të Shqipërisë është përkeqësuar mbrëmjen e së shtunës, ndërsa ekipi mjekësor i spitalit, i drejtuar nga profesoresha e Pulmologjisë dhe Kujdesit Intensiv, Anastasia Kotanidou, vijon monitorimin e tij,” thuhet në njoftimin e ekipit mjekësor, që po ndjek gjendjen e Kryepeshkopit Anastas.
Para dërgimit në Athinë, më 30 dhjetor kryepeshkopi 95-vjeçar u shtrua në një spital privat në Tiranë me simptomat e një virusi, por u vendos dërgimi me avion drejt Athinës për një kujdes më të specializuar mjekësor.