Gjatë një aksioni në qytetin e Elbasanit policia ka vënë në pranga Xhiliano Xhoxhin, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për shkak se është dënuar me 10 vite burg si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e lëndëve të forta narkotike.
Grupi ku bënte pjesë Xhoxhi ra në pranga më 23 maj 2006. Nga hetimet rezultoi se kokaina merrej kryesisht në Holandë dhe më pas në rrugë tokësore dërgohej në Francë dhe Itali. Ndërsa heroina merrej kryesisht në Turqi dhe nëpërmjet Shqipërisë dërgohej në Itali. Të pandehurit përdornin korrierë të huaj për trafikun e heroinës dhe kokainës në pesë shtete duke përdorur korrierë të huaj.
Organizata kriminale në fjalë drejtohej nga Ilir Koçiaj, ndërsa krahu i tij i djathtë ishte Xhiliano Xhoxhi. Të dy këta persona kanë mundur që të ngrenë një rrjet të tërë të trafikut të narkotikëve në të paktën 6 shtete të ndryshme të botës.