Deputeti demokrat, Dash Sula komentoi ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë. Sipas tij, SPAK duhet të godasë edhe krimin e organizuar ndërsa shtoi se nëse krimi nuk do të kishte mbështetje nga lart, do ta kishte të vështirë të godasë.
“Nëse nuk ka polici ose drejtues të policisë të korruptuar dhe bashkëpunojnë me bandat, nuk ka prokurorë dhe politikanë, krimi e ka më të vështirë të godasë. Nëse Dash Sula mban kontakte të rregullta politike me njerëz të krimit në zona dhe i përdorim për vota, iu jep kurajo, do të kërkojnë edhe ata. Në kohën tonë të maxhorancës, ka një gjë. Deri dje, edhe elementë të caktuar të PD, edhe politikanë, mund t’i përdorin.. deri dje ishte një gjobë makine që të ndihmoje të fortin, por ta marrësh në vendimmarrje qendrore dhe në parlament.
Ky është problem. Nuk më shqetëson korrupsioni sa krimi i organizuar. SPAK nuk duhet ta lërë pas dore korrupsionin, por të mos heqë dorë nga krimi i organizuar. Në Strasburg pata një kontakt me shefin e policisë, do të tregoj dy detaje. Një ndër pyetjet ishte sa milionë banorë jeni në Shqipëri. I thashë kemi qenë në ’90, 4 milionë. Jemi nën 2 milionë dhe për një dekadë mund të jemi 800 mijë. E dyta, ekziston këtu mundësia që këtu një politikan apo shef policie të përdorë këtë lloj platforme, është e paimagjinueshme. Pra, kupton diferencat. Nëse krimi nuk ka mbështetje lokale, dhe parlamentare, të jeni të sigurt që e ka të vështirë të penetrojë dhe të godasë. “, tha Sula.
Ndërkaq, deputeti i PS Lavdrim Krashi tha:
“E dhimbshme. Nuk jam në gjendje të them se është ngjarje e lidhur me politikën, do të doja të mos kishte. Ka lidhje me aktivitetet kriminale që janë bashkëshoqëruese, është realitet i hidhur te i cili kemi përgjegjësi të gjithë ne që jemi në shërbim publik, si maxhoranca por edhe opozita, se duhet të krijojmë një klimë bashkëpunimi edhe kur nuk jemi dakord. Nuk jam përfaqësues i policisë por i popullit në parlament, por nuk mund ta drejtoj gishtin te politika apo te policia në këtë rast. Patjetër që Sula ceku shumë probleme. Për ta bërë më konkrete, nuk hyj te ata që mendon se integrimi në NATO ka ndodhur vetëm për PD, por ashtu sikurse që suksesi i deritanishëm në BE nuk është vetëm si rezultat i punës së qeverisë së PS.”/abcnews.al