Poligoni i parë publik në Fushë-Prezë, Rama: 6 mijë m2, do shërbejë për drejtuesit e rinj të mjeteve

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama mëngjesin e të mërkurës ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga puna që po zhvillohet për ndërtimin e poligonit të parë publik.

Rama shprehet se, ky investim që po merr jetë në zonën e Fushë-Prezës do t’u vijë në ndihmë drejtuesve të rinjë të mjeteve.

“Mirëmëngjes dhe nga puna për poligonin e parë publik që po ngrihet në Fushë-Prezë, një hapësirë prej 6 mijë m2, e cila do të shërbejë për orët e praktikës për të gjithë drejtuesit e rinj të mjeteve që pritet të marrin rishtazi patentat, por edhe për aktivitete shtesë edukative që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe sigurinë rrugore, ju uroj një ditë të mbarë”, nënvizon Rama.

Poligoni i parë publik i testimit praktik për Leje Drejtimi dhe Qendra e parë Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale për Leje Drejtimi, në Fushë-Prezë, Tiranë, është investim i qeverisë shqiptare, përmes Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Publik.

Objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë më të fundit të simulatorëve mbi drejtimin e mjetit, pikë takimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale të sektorit të Leje Drejtimit. Projekti parashikon e-Monitorim ajror por edhe brenda në kabinë, live gjatë provimit, kompleks funksional ditën e natën, eficiencë energjitike e karikim mjetesh elektrike me energji diellore, parkime ndihmëse, sinjalistikë e mjete simulimi, instalime bashkëkohore dhe ambiente pritjeje.

Kjo vepër e re shumëdimensionale, me një sipërfaqe rreth 6000 m2 do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore, orë Këndi Trafiku dhe Aktivitete Mësimore shtesë.



Skip to toolbar