Polonia merr Presidencën e BE

BOTA


Polonia do të marrë zyrtarisht stafetën e Presidencës së radhës në Bashkimin Evropian, pas gjashtë muajve ku protokolli ishte në duart e palës hungareze.

Një çast ky me rëndësi edhe për Shqipërinë, për shkak të procesit të negociatave, rreth të cilave ka shpresë se do të përshpejtohen edhe më shumë nën Presidencën polake.

Gjatë periudhës gjashtëmujore të Presidencës hungareze, Shqipëria në fakt ka pasur një primat të admirueshëm në vijimësinë e procesit integrues. Një veto greke u hoq ndaj Tiranës duke i hapur rrugë hapjes së grupkapitujve të parë.

Shqipëria arriti që brenda dy muajve, të hapte dy grupkapituj negociues, ku përfshihet ai i parë me “Themelet” dhe ai i VI-ë, i cili lidhet me politikën e jashtme dhe mbrojtjen.

Synimi shqiptar ka qenë i qartë se brenda vitit 2025, do të kërkohet hapja e të gjithë grupkapitujve negociues dhe një vijim sa më i shpejtë i procesit, për t’i mbyllur ato deri në vitin 2027.

Më 19 dhjetor, ishte ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ai i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe garantoi se Presidenca polake e BE-së në vitin 2025 ka në fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Në një komunikim që Albanian Post pati me Ministrinë e Jashtme polake, u konfirmua po ashtu i njëjti angazhim.

“Po, ministri Radosław Sikorski foli në Shqipëri për Presidencën polake, dhe në këtë kontekst veçanërisht për perspektivat e hyrjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë (hapja e kapitujve të mëtejshëm). Ministri theksoi se Polonia është e gatshme të ofrojë asistencë ligjore dhe administrative. Ai theksoi se Shqipëria është një vend që ka bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt Evropës”, ishte komunikimi i palës polake me Albanian Post.

Kështu, duke reflektuar qartë se ambiciet e Tiranës zyrtare nuk janë boshe, por do të përqendrohen plotësisht në hapjen e grupkapitujve të rinj në një kohë sa më të shpejtë të mundshme.



Skip to toolbar