Porti i Ri në Porto Romano do të ndërtohet pavarësisht se kompania e vetme është tërhequr nga gara.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaci tha se arsyeja e daljes së kompanisë nga gara ishin kostot e larta të ndërtimit.
“Kemi tërheqje të ofertuesit për shkaqe ekonomike, sepse ka një rritje të kostos. Komisioni do të vijojë me procedurat, por dua të rikujtoj faktin që kryeministri u shpreh për këtë projekt, duke thënë se ka aktorë të cilët po përpiqen ta frenojnë atë. Ne do të ndërtojmë një skenar tjetër me qeverinë, në mënyrë që të mos frenohet ky projekt i rëndësishëm”.
Por dicka e tillë u paralajmërua tre ditë më parë nga kryemninistri Edi Rama, I cili përpara grupit, pati një deklaratë të fortë kur tha se nuk kanë munguar tentativat për të penguar projektin.
“Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kam bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian”.
Të njëjtin qëndrim përforcoi të mërkurën ministri Karakaci ndonëse mohoi zërat se ka patur influencë ruse në kompaninë garuese.
“Ky është një aludim. Autoriteti Portual i Durrësit ka pasur një komunikim me kompaninë dhe të gjitha dokumentet kanë qenë ligjore dhe nuk kanë pasur asnjë influencë. Kush janë amerikanët që kanë shprehur kërkesën për të ndaluar tenderin? E kam parë emailin, por projekti i Porto Romanos ka dy vite që është krijuar dhe ka pasur procesin e vet procedural. Ky projekt është i standardeve ndërkombëtare”.
Karakaci njoftoi se Shqipëria ka përfituar dhe një grant për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Aeroporti i Vlorës.
“Hekurudha Tiranë-Durrës, një hua 11.7 milionë euro kemi përfituar grant, vagonat do të jenë të elektrifikuara”.
