Post tërmeti, Balluku: 500 banesa të dëmtuara

AKTUALITET


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ndërsa ka bërë publike bilancin e banesave të dëmtuara, ka bërë të ditur se të gjitha akset rrugore janë të hapura dhe të gjitha sistemet e energjisë janë funksionale. Balluku tha se janë dëmtuar 500 banesa, por inxhinierët e ministrisë janë të gjithë në terren dhe po bëjnë vlerësimin e dëmeve, për të cilat ministrja garantoi se shteti “do marrë përsipër gjithçka”. Në fjalën e saj ministrja Balluku shoqërohej nga ekspertë të institutit të ndërtimit dhe inxhinierë, të cilët garantuan se situata në terren po menaxhohet më së miri.

“Të gjitha akset janë të aksesueshme edhe ato të zonave të goditura nga tërmeti. Të gjitha sistemet energjetike, janë të gjithë funksionale. Ujësjellësat janë funksionalë, po ashtu portet dhe aeroportet, kryejnë operimet në normalitet. Rama u kthye nga një udhëtim shumë i rëndësishëm pasi u njoftua. Rama ka detyrë të përfaqësojë shtetin në OKB dhe të kryejë takime të tjera të rëndësishme. Ai ka qenë në krye të operacioneve të orëve të para.

Kemi performuar në mënyrën më të mirë dhe sot po marrim masat. Në krye të qeverisë në momentin që Rama ndodhet në SHBA, ndodhet zv/ kryeministri, që është atje në terren. Të gjithë jemi në terren. Sqaroj edhe njëherë të gjithë ata që hedhin atë apo krijojnë konfuzion si ata mbrëmë në kurriz të fëmijëve, grave dhe pleqve”, tha ministrja.

Ajo bëri të ditur se akti i parë është ai i verifikimit nëse banesat janë të sigurta ose jo, në mënyrë që banorët të hyjnë në banesa, dhe më pas nis akti i dytë që është vlerësimi i dëmeve që ka shkaktuar tërmeti.

“Akti i verifikimit u jep sigurinë njerëzve për të hyrë në banesa, pastaj do të kalojmë në aktin e vlerësimit, pasi shteti do marrë përsipër gjithçka. Përveç ndihmës është e rëndësishme edhe fjala e ngrohtë. Janë bërë verifikimet në disa zona në Tiranë, Astir dhe Kombinat nga ku ka rezultuar se nuk kishte dëmtime të konstruksionit. Rasti i banesës së tek Astiri, nuk ishte serioze kishte vetëm çarje të suvasq. 6 pallate në Kombinat janë konstatuar me dëmtime të lehta.

Në terren do të jenë 73 inxhinierë. Aktet e verifikimit duhet t’i mbyllim sa më shpejt për 500 ndërtesat që janë deklaruar me pasoja dhe pastaj të kalojmë në aktet e vlerësimit”, përfundoi Balluku.  Drejtori i Institutit të Ndërtimit Hysenlliu sqaroi më tej si do të bëhet vlerësimi i qëndrueshmërisë.

“Instituti i Ndërtimit ka organizuar stafet e veta. Pjesa e banesave të dëmtuara nga tërmeti është e madhe. Testi i tërmetit që ndodhi ishte tepër i madh dhe tregoi se kemi punuar me përgjegjësi të madhe si ndërtues. Do të bëjmë vlerësimin dhe qëndrueshmërinë e objektit pas tërmetit.

Ne do të presim secilin për të dhënë vlerësimin e duhur dhe përvojën me këtë akt ekspertize që do të kryejmë. Shtrirja e tërmetit është goxha e madhe. Do caktojmë njerëz me programe të shpejta dhe të sakta”, tha ai.



Skip to toolbar