Një 33-vjeçar, i cili dyshohet se kishte organizuar trafikimin e një vajze në Itali me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion, është arrestuar nga policia e kryeqytetit. Kapja e tij u bë tre muaj pas zbulimit të organizimit, ku fillimisht ishte arrestuar shoqëruesi i vajzës që do të çohej në Itali, ndërkohë që ishin shpallur në kërkim tre persona, me të cilëve edhe 33-vjeçari i arrestuar të martën.
Policia e Tiranës deklaroi se është vënë në pranga A. Ç., 33 vjeç, pasi akuzohet për ‘trafikim të personave të rritur’. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërsa më 01.11.2019, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. “Ky person së bashku me 3 të tjerë, ka detyruar me dhunë një grua 30-vjeçare që të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali, duke e organizuar trafikimin e saj nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Më 6 tetor në Rinas u arrestua E. Ç., 40 vjeç, banues në Tiranë i cili shoqëronte gruan që grupi do të shfrytëzonte për prostitucion në Itali. Ndërkohë në kërkim për këtë ngjarje të rëndë janë shpallur në kërkim edhe R. Xh., dhe K. Q”, deklaroi policia.
Gjithçka është zbuluar nga deklaratat e dyshimta që 30-vjeçarja ka dhënë për policinë kufitare, ku ka qenë kontradiktore në ato që ka thënë lidhur me qëllimet e saj për udhëtimin në Itali. Në pranga ka rënë personi që e shoqëronte atë në aeroportin e Rinasit, E. Ç., 40 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit sapo e kuptoi që ishte zbuluar ia mbathi vrapit, por tentativa e tij për t’u larguar rezultoi e dështuar sepse u arrestua.
