Pranga tre policëve dhe doganierit, lejuan 4 kamionë kontrabandë

AKTUALITET


Tre punonjës policie dhe një doganier kanë përfunduar në pranga, pasi dyshohet se në bashkëpunim kanë lejuar të kalojnë në pikën kufitare të Goricës katër kamionë me mallra kontrabandë.

Operacioni i koduar “Gorica” u realizua nga SHÇBA, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Korçës, ku veç zyrtarëve të arrestuar, në pranga ka përfunduar dhe një shofer, ndërkohë që janë shpallur në kërkim 7 persona të tjerë

Burimet zyrtare të policisë deklaruan se gjatë këtij operacioni u bë arrestimi Sh.D., 35 vjeç, me detyrë doganier pranë Doganës së Goricës; Y.Rr., 53 vjeç, punonjës policie me detyrë përgjegjës turni; B.H., 54 vjeç, punonjës policie me detyrë kontrollor; J.K., 51 vjeç, banues në fshatin Kallamas, Pustec, punonjës policie me detyrë trup shërbimi, pranë Pikës së Kalimit Kufitar Goricë dhe A.H., 58 vjeç, banues në Korçë.

“Punonjësi i Doganës (Sh.D.,) në bashkëpunim me punonjësit e policisë dhe personave të të shpallur në kërkim, kanë lejuar kalimin e 4 mjeteve tip kamion të ngarkuar me mallra të dyshuara kontrabandë, konfeksione dhe goma automjetesh të përdorura, nga Pika e Kalimit Kufitar Goricë në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke shmangur detyrimet doganore dhe falsifikuar të dhënat e mjeteve në dokumentacionet e tyre dhe në Sistemin Tims, ku 2 nga këto mjete u gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale”, deklaroi policia.

Sipas të dhënave policore, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen e personave të shpallur në kërkim, si edhe gjetjen dhe bllokimin e 2 mjeteve të tjera.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”.



Skip to toolbar