Prefekti i Dibrës “provokon” bashkiakët: Dorëzoni detyrën te kryetarët e rinj

Më të fundit


Prefekti i Qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu u ka shkruar një letër kryetarëve të bashkive Dibër, Mat, Bulqizë e Klos, Muharem Rama, Nezir Rizvani, Melaim Damzi e Basir Çupa, duke iu kërkuar që të dorëzojnë detyrën dhe projektet te kryetarët e rinj të zgjedhur më 30 qershor. Katër kryetarët nuk ishin pjesë e procesit zgjedhor, ndërsa punonjësit e dy prej këtyre bashkive, Matit dhe Klosit u bënë protagonistë gjatë procesit zgjedhor për shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe djegien e KZAZ-ve.

“Me qëllim unifikimin e procedurave, që na dikton ligji dhe mënyra e kalimit të pushteteve pas mbarimit të mandateve të përfaqësimit, fillimisht do të kërkonim një bashkëpunim të ngushtë mes kryetarit Bashkisë në detyrë dhe atij të zgjedhur, ku menjëherë pas betimit të kryetarit të zgjedhur në aspektin formal të nisë edhe procesi i dorëzimit të detyrës në aspektin substancial, duke bërë të mundur kalimin e të gjitha përgjegjësive për vijimin e mëtejshëm të punëve dhe projekteve të mbetura pa realizuar për shkak të mbarimit të mandatit kushtetues. Çmojmë se përkushtimi juaj në këtë drejtim do të japë një shembull të qartë të mënyrës së të sjellurit etiko-ligjor ndaj ligjit dhe komunitetit që keni përfaqësuar dhe do të përfaqësoni”, shkruan Prefekti.

Prefekti nënvizon se nëpunësit civilë, që kanë qenë korrekt gjatë ushtrimit të detyrës nuk duhet të kenë frikë, pasi do të zbatohet ligji në çdo rast. Sakaq Shehu kërkoi që administrata të jetë korrekte në kryerjen e shërbimeve për qytetarët.



Skip to toolbar