Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari ka vënë në dukje se lëkundjet gjatë mesnatës dhe orëve të para të mëngjesit të së dielës më shumë panik dhe probleme kanë krijuar në zonën e Don Boskos, ndërkohë që sipas saj strukturat civile neglizhuan situatën.
Prefektja tha se janë dëmtuar 187 banesa, mes tyre 20 pallte. “Më shumë panik në mesnatë nga tërmeti pati në Don Bosko. Bashkë me zjarrfikëset në orën 06:00 i montuam 19 çadrat. Të gjithë kërkonin çadra dhe nuk pranonin të hynin në qendrat sociale, përveç 14 vetave në Kombinat. 187 dëmtime banesash, 20 pallte janë çarë. Do të vijojmë që të mbledhim komisionin e Emergjencave, duhet të fillojmë si të bëjmë vlerësimin që të jetë real. Kryesisht janë dëmtime të ndërtimet para viteve ’90”, deklaroi Prefektja Jahollari.
Ajo vuri në dukje se strukturat civile neglizhuan emergjencën, ndryshe nga strukturat ushtarake. “Mbeten për t’u vlerësuar strukturat ushtarake, ndryshe nga ato civile, të cilat braktisën qytetarët. Pjesa civile iku pasi ikëm ne, por u rikthyem sërish dhe u thamë që detyra duhet të çohet deri në fund ka apo nuk ka njerëz”, tha me ton të fortë prefektja në raportimin e saj para kryeministrit.