Premtimin më optimist nga të gjithë në ditën e parë të shkollës e ka bërë kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj. Ai tha se vitin tjetër në Tiranë do të hapen 17 shkolla të reja, ndërsa shumë shpejt do t’i jepet fund mësimit me dy turne.
Këtë deklaratë Veliaj e bëri gjatë inaugurimit të shkollës ‘Servete Maçi”.
“Ky është shtatori im i pestë si kryetar Bashkie, më kujtohet që në, çdo shtator kemi hapur nga një shkollë të re, shkollën “Betim Muço”, shkollën “Ardian Klosi”, shkollën Kosova, “Hoxha Tahsim” dhe shkolla “Servete Maçi”. Për të pasuar me shtatorin e ri, për të hapur 17 shkolla të reja, për t’i dhënë fund mësimit me turne. Jo për t’i dhënë fund sistemimit në disa kuti shkrepëse, që s’të japin pikë emocioni, por në një hapësirë kreative si kjo që në fakt për herë të parë bëmë një eksperiment në Bashkinë e Tiranës, që më thoshte dil nga korniza. Nuk ka nevojë të kemi të njëjtët arkitektë që bëjnë të njëjtat shkolla, që duken si burgje, si spitale. Dhe ne bëmë një eksperiment, kjo shkollë është dizenjuar nga studentë të sapodiplomuar të arkitekturës”, tha Veliaj.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit që mundësuan që nisja e procesit mësimor të mos shoqërohej me problem apo vonesa në trafik.