Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka urdhëruar shpërndarjen e Parlamentit dhe ka caktuar zgjedhjet e reja për 23 shkurt.
Zgjedhjet e reja do të mbahen pas rënies së koalicionit qeverisës të kancelarit, Olaf Scholz.
Scholz nuk e mori votëbesimin më 16 dhjetor dhe aktualisht po udhëheq një Qeveri të pakicës, pasi koalicioni trepartiak i tij kolapsoi më 6 nëntor. Kjo ndodhi për shkak se Scholz shkarkoi ministrin e tij të Financave lidhur me mospajtimet se si të revitalizohet ekonomia e Gjermanisë.
Steinmeier tha se e mori vendimin për zgjedhjet e reja për shkak se pas konsultimeve me udhëheqësit partiakë u bë e qartë se nuk ka marrëveshje mes partive politike të Gjermanisë për një Qeveri të re me përbërjen aktuale të Parlamentit.
“Pikërisht në momente të vështira kërkohet stabilitet dhe një Qeveri e aftë që të marrë veprime dhe një shumicë e besueshme në Parlament”, tha ai.
“Prandaj, jam i bindur se për të mirën e shtetit tonë, zgjedhjet e reja janë rruga e duhur”, shtoi presidenti gjerman.
Pasi që Kushtetuta gjermane, e miratuar pas Luftës së Dytë Botërore, nuk lejon që Bundestagu të shpërndajë veten, ishte në dorën e Steinmeierit që të vendoste për një gjë të tillë dhe të shpallte zgjedhje të reja.
Ai kishte 21 ditë afat për këtë vendim.
Pas shpërndarjes së Parlamentit, sipas ligjeve gjermane, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditësh.
Paraprakisht, udhëheqësit e partive kryesore në Gjermani ishin pajtuar për datën 23 shkurt.
Zgjedhjet në Gjermani do të mbahen shtatë muaj më herët seç ishin planifikuar fillimisht.
Steinmeier paralajmëroi për ndërhyrje nga jashtë në votime, duke thënë se është “një rrezik për demokracinë, qoftë nëse është i fshehtë, siç ishte në rastin për zgjedhjet e fundit në Rumani, apo i hapur, ashtu siç po ndodh gjithnjë e më shumë në platformën X”.
Gjykata Kushtetuese ka anuluar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, pasi u publikuan pretendime se Rusia kishte koordinuar një fushatë online për të promovuar një kandidat të krahut të djathtë, që fitoi rundin e parë.
Fushata në Gjermani veçse ka nisur. Sipas sondazheve, partia e Scholzit është në garë të ngushtë me bllokun opozitar të udhëhequr Friedrich Merz. Ndërkaq, të Gjelbërit – partnerët aktualë qeverisës të Schozlit – po ashtu vlerësohen se do të jenë në garë për të marrë poste kyçe. Megjithatë, sondazhet sugjerojnë se Qeveria e re me gjasë do të udhëhiqet nga Merz si kancelar, në një koalicion me të paktën një parti tjetër.