Presidentja gjeorgjiane refuzon ta nënshkruajë ligjin kundër LGBT-së

BOTA


Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk ka pranuar ta nënshkruajë një projektligj të miratuar nga Parlamenti muajin e kaluar, për të cilin grupet për të drejtat e njeriut dhe shumë politikanë opozitarë thonë se kufizon dukshëm të drejtat e komunitetit LGBT në Gjeorgji.

I ashtuquajturi Projektligji i “vlerave familjare” kaloi në Parlament pas trysnisë nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, më 17 shtator, me 84 vota për dhe asnjë kundër. Votimi u bojkotua nga opozita, ndërsa kundër tij u mbajtën protesta para ndërtesës së Parlamentit.

Në përputhje me provizionet e Kushtetutës së Gjeorgjisë, Zurabishvili nuk pranoi ta mbështesë projektligjin dhe e ktheu atë në Parlament pa komente të shkruara, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë Presidenca gjeorgjiane.

Vendimi i saj vë në pah peizazhin tejet të polarizuar politik në vendin e Kaukazit në prag të zgjedhjeve nacionale më 26 tetor.

Tani, kryetari i Parlamentit Shalva Papuashvili, mbështetës i projektligjit dhe anëtar i partisë në pushtet, pritet ta nënshkruajë projektligjin për ta bërë ligj, si dhe ta publikojë atë brenda ditësh.



Skip to toolbar