Dy oficerë policie dhe një avokat kanë përfunduar në pranga, pasi nw bashkëpunim me njwri-tjetrin, kishin organizuar një skemë, ku nëpërmjet presionit u merrnin para qytetarëve, duke i kërcënuar se do të përfundonin në burg.
Ministria e Brendshme deklaroi se SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, ka arrestuar avokatin Klajdi Xhymerti dhe dy oficerët policie me gradën nënkomisar. “Pas disa muaj hetimesh pro-aktive u realizua operacioni ‘Mashtruesit’, duke bërë të mundur ekzekutimet e vendimeve të arrestit për
K.Xh., 29 vjeç, me profesion avokat, Nënkomisar M.H., 32 vjeç dhe Nënkomisar E.M., 34 vjeç, të dy specialistë të Krimeve, pranë Komisariatit të Policisë Fier”, deklaroi Ministria e Brendshme.
Punonjësit e policisë u arrestuan pasi duke qenë në detyrën e specialistit të Krimeve dhe të OPGJ-së në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim edhe me avokatin Klajdi Xhymerti, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonin presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime, ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat si dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bën thirrje qytetarëve, të cilët janë bërë pre e kësaj skeme mashtrimi nga këta shtetas, që të depozitojnë kallëzimet e tyre pranë dy institucioneve SHÇBA dhe Prokurori.