Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur sanksione duke mos u dhënë viza disa shtetasve nigerianë që kanë prishur zgjedhjet. “Këta individë kanë vepruar pa u ndëshkuar në kurris të popullit nigerian dhe kanë dëmtuar parimet demokratiket dhe të drejtat e njeriut”, është shprehur zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus të martën. Shkak i këtyre sanksioneve është bërë dhuna e ushtruar në zgjedhjet në Nigeri nga persona të ndryshëm, të cilët kanë cënuar demokracinë e procesit zgjedhor. Sanksionet për vizat kanë në shënjestër vetëm individë të caktuar, që ishin përfshirë në dhunën zgjedhore, e jo për popullatën e përgjithshme. DASH ka sqaruar se ky vendim nuk vjen si ndëshkim ndaj Nigerisë, por si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit mes SHBA dhe shtetit afrikan, për të thelluar luftën ndaj korrupsionit dhe forcimin e demokracisë.
“Ky vendim pasqyron angazhimin e Departamentit të Shtetit për të punuar me qeverinë nigeriane për të realizuar angazhimin e saj të shprehur për t`i dhënë fund korrupsionit dhe për të forcuar demokracinë, llogaridhënien dhe respektin për të drejtat e njeriut”, ka thënë zëdhënësja e DASH. Më herët, në janar të këtij viti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar paralajmëruan se “kush cënon zgjedhjet, duke nxitur dhunën do të prekeshin nga kufizimet e udhëtimit drejt SHBA”. Dhe tashmë vendimi është marrë nga Departamenti i Shtetit. Mirëpo një rast i ngjashëm është edhe Shqipëria.
Fillimish, në nisje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, ishte Kryeministri Edi Rama që u shpreh se “kush do të prish zgjedhjet nuk do të shkelë më në SHBA”. Konfirmi zyrtar, për këtë, erdhi tre ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, kur Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Mathew Palmer, i cili u shpreh se “kush do të ushtrojë dhunë në zgjedhje do të cilësohet si organizatë kriminale nga SHBA”, dhe për pasojë do të thotë se nuk do të marrë më vizë për në SHBA.
Në zgjedhjet e 30 qershorit u shmang dhuna nga opozita, por më herët gjatë fushatës, disa drejtues të bashkive, ish-deputetë dhe militantë u përfshinë në akte dhunë duke djegur dhe shkatërruar materialet zgjedhore. Për të gjithë këto persona rëndojnë akuza dhe janë hapur procese penale nga prokuroritë e rrethe, mes të cilëve është dhe kryebashkiakja në ikje e Shkodrës, Voltana Ademi, ish-deputetë dhe shumë simpatizantë të PD. Tashmë pritet me interes nëse SHBA do të marrë të njëjtin vendim si për Nigerinë, edhe ndaj shqiptarëve që cënuan zgjedhjet në 30 qershor!