Mbrëmjen e sotme në Prishtinë do të mbahet një protestë për vrasjen e Liridona Ademajt. Protesta është iniciuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe motoja është “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”. Protesta nis në orën 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
“Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna me bazë gjinore dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, thuhet në njoftim.
Gjykata Themelore në Prishtinë të dielën e 3 dhjetorit, ka vendosur nga një muaj paraburgim për bashkëshortin e Liridonës dhe dy të tjerë.
Sipas komunikatës, gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, dhe mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.