Gjykata për Krime të Rënda ka hapur më në fund shqyrtimin gjyqësor për ish ministrin Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelën, por sërish u detyrua të shtyjë seancën, pasi në dosjen e Prokurorisë për Krimet e Rënda mungonte përkthimi i dëshmive të të pandehurve Moisi Habilaj dhe Nezar Seiti.
Gjatë seancës, ish ministri kërkoi që seanca të mos shtyhej, ndërsa tha se hiqte dorë nga këto dëshmi që ishin në favor të tij dhe gjykimi të vazhdonte. Sipas avokatit të Tahirit, këto dokumente ishin përkthyer dhe nuk është e vërtetë që nuk janë përkthyer, ndërsa citoi korrespondencën e Ministrisë së Drejtësisë me Prokurorinë.
Në një komunikim me mediat, Tahiri është shprehur i ashpër për seriozitetin e Prokurorisë, ndërsa shton se është e papranueshme që arsyeja të jetë “humbja e letrave”, ndërsa shton me ironi se dhe një çerdhe është më e organizuar. “Ky proces është shtyrë për të tretën herë, edhe një çerdhe është me e organizuar se kaq. Nuk e di sesi mund të humbasin letrat në Prokurori, dhe nuk di sesi mund të vazhdohet kështu dhe se çfarë serioziteti ka. Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëzor, por kjo është qesharake. Nëse është e qëllimshme, është shumë banale. Shpresoj të jetë mungesë vëmendje. Unë heq dorë nga disa dëshmi që janë në favorin tim, por mjafton të mos shtyhet më. Procedim penal që nisi me kërkesë për arrestimin tim dhe sot letrat janë zhdukur, kjo është qesharake. Nuk ndodh as në dyqanin me të rëndomtë, e jo më në prokurorinë e Krimeve të Rënda. Është e shëmtuar si mund të ndodhë kjo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe bëhet fjalë për shkresa që i keni nxjerrë ju në gjuhën shqipe, kur i ka media nuk i ka prokuroria?! Ata janë dëshmi në favorin tim, por nuk i dua, heq dorë, vetëm gjyqi të mos shtyhet. Nuk mund të bëj edhe postierin, edhe policin edhe të pandehurin. Një seancë postieri solli ca letra të grisura, një seancë nuk bëri njoftimet dhe tani hataja më e madhe është që paskan humbur letrat. Më gjeni një tjetër institucion që ka humbur letrat në këtë mënyrë, atëherë Republika ka rënë. Nuk spekuloj dot se ka shumë variante, janë njëri më i keq se tjetri, por di që do ia dal herët apo vonë dhe keni për ta parë” tha Tahiri.
Prokuroria nuk ka dorëzuar akoma përkthimet e Moisi Habilajt, Nazer Seitit dhe Meridjan Sulajt. Ndërkohë avokati Maks Haxhiaj tha se në sajë të shkresave të ministrisë së Drejtësisë këto deklarime janë përkthyer. Gjyqi është i pezulluar prej një viti për shkak të Sokol Bodes e Gjergji Kohilës për shkak se nuk kanë marrë dijeni për seancat, sepse janë në kërkim. Seanca e radhës për Tahirin është në datë 22 korrik ora 11:00. Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Në 19 Qershor ai tha se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe kërkoi gjykim të shkurtuar.