Rama “vjedh” dhe protestuesit? Ja pamjet dhe fotot e “85 përqindëshit” të Metës

AKTUALITET


Në përditësim

Protesta e opozitës pas 30 qershorit ka pasur një pjesëmarrje të vakët, siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Realstory.al nga lart me dron, ndërsa për këtë protestë nuk kanë bërë thirrje vetëm liderët e opozitës, por edhe vetë kreu i shtetit Ilir Meta, i cili ka harruar detyrat kushtetuese dhe u është bashkuar thirrjeve të opozitës, duke kërkuar që qytetarët të dalin në protesta. Madje, Ilir Meta tha se 85% e shqiptarëve refuzuan Ramën të dalin në zgjedhje, por siç duket nga pamjet nga lart të siguruara nga realstory.al, të pranishmit në protestë janë shumë të paktë. Mos vallë Rama ka “vjedhur” protestuesit e opozitës?

Demokratët protestojnë me shqiponjën në shesh

Demokratët kanë sjellë në sheshin e protestës një shqiponjë mbi të cilën shkruhet 85%. 85% është pikërisht shifra të cilën opozita pretendojnë si numër të qytetarëve që refuzuan pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Protestë e vakët

Pak minuta para nisjes së protestës së dhjetë të opozitës së bashkuar, mbështetësit e opozitës, të cilët duken të paktë në numër, pavarësisht se na ndajnë vetëm pak minuta nga nisja zyrtare e saj, kanë nisur të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa dhjetëra forca policie kanë rrethuar Kryeministrinë.

Efektivët mbajnë në duar maska kundër gazit, bombola të vogla dhe mbrojtëse. Makina policie dhe efektivë janë vendosur nga të gjitha anët e Kryeministrisë për të mbajtur të paprekur godinën. Nuk dihet nëse do të jetë e qetë si e kaluara kjo protestë apo do të ketë dhunë, ndërkohë që policia duket e pajisur mirë.

Në tarracën e kryeministrisë janë vendosur forcat speciale nga policia dhe Garda e Republikës, ndërkohë që janë në funksion edhe kamerat me rezolucion të lartë, si në protestat e kaluara. Ka barriera metalike që janë vendosur pranë Kryeministrisë.

Në brezin e parë do të ketë policë që nuk janë të pajisur me armë. Përpara kryeministrisë ka edhe një tribunë dhe pritet të përdoret për mbajtje fjalimesh. Kjo është protesta e parë e opozitës pas zgjedhjve të 30 qershorit. Policia ka dhënë leje deri në orën 22:00 për zhvillimin e protestës, ndërsa opozita ka kërkuar deri në mesnatë.

Liderët e saj kanë deklaruar se ajo do të jetë paqësore dhe gjatë thirrjes për pjesëmarrje. Madje, kreu i PD-së, Basha disa herë ka bërë thirrje që qytetarët të marrin me vete edhe fëmijët në protestë si shenjë se ajo s’do të ketë akte dhune. Tashmë liderët e opozitës e kanë të qartë se nëse protesta do të ketë dhunë atyre do t’u hiqet viza njëherë e përgjithmonë nga SHBA. Amerika e ka bërë të qartë se aktet e dhunës në protestë janë të patolerueshme dhe nëse organizatorët e protestave nuk marrin masat e duhura ata do të cilësohen si organizata të dhunshme dhe do të ndërpritet çdo marrëdhënie me SHBA-të.

Masat e sigurisë janë shtuar që mëngjesin e së hënës, pranë institucioneve ku vazhdimisht ka protestuar opozita si: Kryeministria, Parlamenti, ministria e Brendshme. Në protestën e së hënës policia do të angazhojë 1500 punonjës policie, nga forcat e rendit, FNSH, repartit Shqiponja dhe punonjës të gardës.



Skip to toolbar