Mevlan Ademi, organizator i protestës së mbajtur në zemër të Shkupit ku mijëra studentë protestuan për provimin e Jurisprudencës të cilën kërkojnë që ta japin në Gjuhën Shqipe, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se ka një albanofobi të shfaqur së fundmi në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë intervistës, ai tha se provimi nuk është mbajtur kurrë në Gjuhën Shqipe.
Më tej shtoi se kanë pasur 400 nënshkrime nga studentët shqiptarë.“Ajo që shihet është se pas disa të arriturave ne kthehemi pas dhe diskutojmë sërish këto tema. Kur 400 studentë kërkojnë nga një ministër të japë një shërbim, ai duhet të jetë në shërbim të studentëve. Por më lind pyetja, po të ishin 400 studentë maqedonas, si do ishte reagimi? Por do thoja se fragmentizimi i politikanëve shqiptarë, po sjell edhe këtë situatë sot që fuqizimi është nga ana tjetër”, tha ndër të tjera ai.
Gjithashtu gjatë intervistës, Ademi u shpreh se fragmentarizimi i votave shqiptare gjithashtu ka sjellë edhe këto pasoja.
