Protesta, mbi 1 mijë efektivë në terren/ Në gatishmëri edhe forcat RENEA, kufizohet qarkullimi

AKTUALITET


Protesta e thirrur sot në orën 17:00 nga opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit, e cila ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm. Burime për A2 CNN nga policia bëjnë me dije se rreth 1300 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje.

Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë  që do të qëndrojnë pas kryeministrisë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Ashtu si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Gjithashtu rrugët rreth kryeministrisë do të bllokohen që prej orës 15:00



Skip to toolbar