Protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosja kanë nisur sërish përplasjet me forcat e policisë që kanë blinduar zonën ku po zhvillohet takimi mes kryeministrit Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe atij të Maqedonisë, Zoran Zaev.
Pas përplasjes së parë, ku pati një përplasje verbale sepse forcat e policisë nuk donin t’i lejonin aktivistët të protestonin se nuk kishin marrë leje, ata ishin qetësuar për disa minuta, por kanë marrë sërish hov pas një lajmi se Rama, Vuçiç dhe Zaev do të dalin nga takimi. Deri para pak minutash ata po mbanin një tubim të qetë dhe vetëm fjalime kundër Ramës dhe Vuçiç, por tani kanë nisur edhe tentativat për të thyer kordonin e policisë. Aktivistët brohorasin “UÇK”, “Adem Jashari”, ndërsa ka edhe fishkëllima të shumta.
Një protestuese i ka kërkuar policisë që të mos e prekë me dorë pa i treguar një mandat arresti, ndërsa tha se “Shqiptari shtyn shqiptarin, për një vrasës”. Me fjalën ‘vrasës” ajo i referohej Vuçiç, i cili ngjalli zemërim tek shqiptarët duke mohuar masakrën e Reçakut.
Protestuesit janë kundër idesë së “mini-shengenit” ballkanik, që e quajnë si rikthim të ish-Jugosllavisë, por edhe të revoltuar me deklaratat e Vuçiç disa ditë më parë i cili nuk njeh krimet e luftës në Kosovë. Policia ka ndërhyrë duke zhvendosur me forcë protestuesit.