Politika gjermane i ndjek me shqetësim protestat, pjesërisht të dhunshme të zhvilluara në fundjavë në disa qytete gjermane kundër masave të Coronës dhe vaksinimit. Sa serioz është rreziku i radikalizimit?
Në të gjithë Gjermaninë u zhvilluan në fundjavë protesta kundër masave të Coronës dhe vaksinimit. Jo të gjitha protestat ishin paqësore, e jo të gjitha ishin të lejuara. Ekspertët dhe politika paralajmërojnë për një rrezik radikalizimi.
Studiuesi i terrorizmit, Peter Neumann, i cili i ndjek me shqetësim zhvillimet e protestave kundër masave kufizuese dhe vaksinimit dhe shikon aty rrezik potencial për një radikalizim të tyre. Në një intervistë për Bild TV, Neumann u shpreh të dielën, se “ajo që shohim në mënyrë të veçuar janë sulme komplekse ndaj RKI (Instituti Robert Koch) për shembull, ndaj klinikave apo qendrave të vaksinimit.” Për këtë arsye ai e sheh të mundur, “që në muajt e ardhshëm vërtet do të na duhet të flasim për fushata terroriste.” Sipas Neumann temat si detyrimi për vaksinim apo vaksinimi i fëmijëve do të çojnë në një radikalizim të mëtejshëm. “Këto janë dy tema të forta emocionale, që nga kjo skenë do të vlerësohen si sinjal dhe mund të shërbejnë si shkas për veprime ekstreme.” Studiuesi Neumann mendon, se ky grupim do të bëhet më i vogël, por ata që mbeten do të radikalizohen më tej.
“Rrezik për demokracinë”
Reagime të shqetësuara vijnë edhe nga politika dhe janë rritur zërat për një veprim të vendosur të shtetit. Presidentja e Bundestagut, Bärber Bas, (SPD) konstaton një radikalizim “të ndjeshëm” të protestave. “Ky është vërtet një rrezik për demokracinë”, tha politikanja socialdemokrate në një emision të televizionit gjerman, ZDF. Ajo kërkoi ndalimin e demonstratave para shtëpive të politikaneve dhe politikanëve si edhe një mbikqyrje më të fortë të grupeve të chat-it Telegram. Në këtë rrjet social grumbullohen shumë kundërshtarë të Coronës.
Kurse zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU, Thorsten Frei (CDU) kërkoi ndjekjen penale dhe konsekuente të përpjekjeve për frikësimin e shtetit apo shkeljeve të ligjit për grumbullimet. “Në këtë situatë shteti nuk duhet të dalë në asnjë mënyrë si i dobët”, tha Frei për gazetën gjermane “Welt.” Reagime vijnë edhe nga Gjelbrit. Politikani i Të Gjelbërve, Konstantin von Notz e cilësoi “më shumë se kërcënues” zhvillimin aktual duke thënë se grupime të tilla nuk duhet të reduktohen si të padëmshme. Zëvendëskreu i grupit parlamentar liberal, Konstantin Kuhle paralajmëroi nga infiltrimi i qëllimshëm i protestave paqësore. Kryeministrja e landit të Meklenburg-Pomeranisë, Manuela Schwesig u shpreh, se “shumë ndjekin qëllime të tjera veç Coronës, ata përdorin debatin emocional për detyrimin për vaksinim për të përçarë.”
Protesta në disa qytete
Në disa qytete gjermane u zhvilluan protesta kundër masave të marra për zbutjen e valës së katërt të pandemisë në Gjermani. Në Grajc, Tyringji u lënduan 14 policë në protestë. Pas thirrjeve në mediat sociale të shtunën u grumbulluan deri në 1000 vetë në protestë, bëri të ditur policia. Protuestuesit përpiqeshin të thyenin kordonin policor.
Në sekuenca të regjistruara e të publikuara në twitter shiheshin protestuesit që kapeshin me policinë për të thyer bllokadën. Një fotograf i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA raportoi për një atmosferë agresive. Policia nisi 44 procedura penale. Kurse në Rojtlingen morën pjesë në protesta sipas policisë rreth 1500 vetë nën moton “Për lirinë, të vërtetën dhe vetëvendosjen”. Thirrjet për mbajtjen e maskës u injoruan. Në një protestë pa leje në Frankfurt morën pjesë rreth 100 vetë, policia vetë e shpërndau pastaj protestën.
Edhe në vende të tjera ka pasur protesta kundër masave të Coronës. Në Barcelonë morën pjesë 3000 vetë në një miting kundër masave të qeverisë. Demonstruesit në Katalonjë protestonin kundër vendimit për të treguar me detyrim vërtetimin e vaksinimit para hyrjes në diskoteka, restorante apo palestra. Në Austri protestat ishin më masive. Sipas të dhënave të policisë rreth 15.000 vetë u mblodhën në qendër të Vjenës. Kreu i FPÖ-së, Herbert Kickl bëri thirrje për rezistencë kundër detyrimit për vaksinim të planifikuar në shkurt./DW