Pasditen e sotme në Himarë do mbahet një protestë në mbështetje të Fredi Belerit, i cili u arrestua me akuzën e blerjes së votave. Kjo protestë është thirrur nga organizata Omonia, e cila më herët përmes një deklaratë, tha se autoritetet shqiptare kanë falsifikuar provat e dosjes hetimore.
Në protestë ka lajmëruar se do jetë i pranishëm edhe kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakojanis, njëkohësisht nipi i kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Kjo çështje e “nxehtë” u komentua nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi në “Tirana Live” në ABC News. Ai tha se protesta e thirrur për këtë çështje, duhet cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Sipas tij, këto akte cenojnë sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë.
“Sot është paralajmëruar një protestë. Kjo është një ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe prek sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë. Së dyti, është një ndërhyrje e përsëritur mbi sistemin e drejtësisë, pra është një presion i hapur që i bëhet drejtësisë shqiptare. Mbi drejtësinë jo vetëm që nuk ushtrohet presion, por nuk komentohen vendimet e saj. Ne kemi parë një presion ta vazhdueshëm, duke filluar që nga kryeministri i Greqisë, ministri i jashtëm, shumë deputetë, të cilët kanë bërë presion dhe duke kërcënuar me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”, tha ai.
Ai shtoi se autoritete greke kanë bërë presion ndaj gjyqësorit në Shqipëria dhe kjo qasje për Idrizin është e papranueshme.
“Për çfarë mbahet në burg Beleri? Ai mbahet në arrest me disa vendime të sistemit gjyqësor të Shqipërisë. Ai është i akuzuar nga SPAK për blerja votash. Ai sot është në burg nga tre shkallët e gjyqësorit. Është i akuzuar për krim zgjedhor dhe për këtë arsye dënohet në SPAK dhe për një krim që ka të bëjë me blerjen e votës. Është absurde të mendosh, që kryetari i bashkisë së Athinës do bëhet tashmë bashkë me minoritarët atje për një protestë, ku duhet liruar nga burgu Beleri apo duhet që ai të marrë detyrën. Këtë kujt ia kërkon? Sistemi gjyqësor është i pavarur. Ka pasur presion mbi Shqipërinë duke e kërcënuar me rrugën e integrimit. Kjo nuk është një gjuhë e duhur e një vendi fqinj dhe kjo cenon marrëdhëniet mes dy vendeve”, shtoi ai.