Qeveria shqiptare ka miratuar sot Protokollin e Bashkëpunimit mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin e mëtejshëm 3 vjeçar, gjatë fazës kalimtare për administrimin e Spitalit Memorial në Fier, duke krijuar kështu modelin e parë të autonomisë spitalore në vendin tonë.
“Ky akt, i cili ne kemi miratuar sot i hap rrugën një bashkëveprimi 3-vjeçar me stafet e përbashkëta, të cilat tashmë kanë filluar të funksionojnë në këtë model të ri të menaxhimit të Spitalit Memorial në Fier. Është një spital, i cili, ashtu sikurse dhe parashikohet në një periudhë 3-vjeçare, do të administrohet nga ta dy palët dhe sigurisht do të përfitojnë direkt qytetarët shqiptarë nëpërmjet shërbimeve shumë cilësore por do të përfitojë dhe sistemi shëdetësor; pasi do të krijohet dhe po krijohet një model i autonomisë spitalore, i cili do të replikohet edhe në spitale të tjera” bëri me dije Manastirliu.
Spitali Memorial Rajonal Fier u ofron shërbim shëndetësor rreth 330 mijë banorëve të zonës së jugut. Gjatë 5 muajve të funksionimit të Spitalit Memorial Fier, janë ofruar 16 lloje shërbimesh shëndetësore dhe kryer rreth 22 mijë ndërhyrje mjekësore, vizita, ekzaminime për qytetarët shqiptarë falas në këtë spital publik, i cili po menaxhohet në bashkëpunim me një ekip i cili ka ardhur nga Turqia. Janë më shumë se 75 mjekë, infermierë turq, të cilët përgjatë 5 muajve të parë të funksionimit të Spitalit Memorial në Fier janë atashuar pranë këtij spitali. Aktualisht janë 257 staf i përbashkët shqiptaro-turk që ofron shërbim në Spitalin Memorial Fier.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, për të cilin Manastirliu tha se synohet një haromonizim i të gjitha politikave dhe institucioneve në mbrojtje të interesit më të lartë të fëmijëve.
“Miratimi i një dokumenti shumë të rëndësishëm politik, një dokument i cili ka të bëjë me Agjendën Kombëtarë për të Drejtat e Fëmijëve për vitet 2021-2026, që synon të harmonizojë dhe koordinojë të gjitha politikat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në të gjithë sektorët dhe gjtihashtu synon që të koordinojë veprime të përbashkëta me të gjithë strukturat shtetësore, por edhe ato të organizatave të shoqërisë civile që synojnë mbrojtjen e interesave më të larta të fëmijëve tanë”, tha Manastirliu duke shtuar se do të ndërtohen plane të përbashkëta për ofertën e re për fëmijët, me synimin që kjo agjendë të jetë sa më e prekshme dhe sa më efektive në raport me mirëqënien e fëmijëve.