Pas përplasjes mes mazhorancës dhe kreut të shtetit për afatet e emërimit dhe betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Partia Socialiste ka propozuar në Kuvend që të bëhen ndryshime përkatëse si në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në të dyja propozimet e mazhorancës vihet re afati që i vihet Presidentit për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët, duke “legjitimuar” edhe aktin e kryer nga Vorpsi për të bërë betimin me shkrim, kur nuk thirret nga Presidenti i Republikës.
Gjykata Kushtetuese
Sa i përket ndryshimeve në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca ka propozuar që të ndryshohet pikërisht neni 8, që flet për betimin e anëtarit të Kushtetueses. “Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”, shkruhet në projektligjin e propozuar nga mazhoranca. Një tjetër pikë që kërkohet të ndryshohet është edhe neni 86. Mazhoranca propozon që
“Gjyqtarët e zgjedhur, të emëruar ose të shpallur të emëruar, por që nuk kanë bërë betimin, me hyrjen në fuqi të këtij ligji betohen sipas rregullave të këtij ligji”. Kjo pikë e shtuar në ligjin për Gjykatën Kushtetuese legjitimon edhe Arta Vorpsin, e cila është zgjedhur automatikisht për shkak të mosemërimit nga Presidenti brenda afatit 30 ditor, por që mbeti peng i betimit, pasi kreu i shtetit nuk e thirri për t’u betuar. Duke qenë se betimi i saj nuk është marrë parasysh, me këto ndryshime ligjore, ajo mund të dërgojë betimin me shkrim dhe të fillojë detyrën. Kjo pritet të rihapë debatin për Gjykatën Kushtetuese sa i përket emërimit të Xhaferllarit nga Meta dhe lënien jashtë liste të Vorpsit.
Gjyqtarë dhe prokurorë
Madje, për t’i paraprirë ngërçeve të tjera institucionale për shkak të përplasjeve me kreun e shtetit, mazhoranca ka propozuar që këto afate dhe ndryshime të bëhen edhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me anë të të cilit përzgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, dy institucione të tjera që nuk kanë funksionuar pas nisjes së implementimit të reformës në drejtësi. Konkretisht, mazhoranca u ka vendosur afate KLP dhe KLGJ, ashtu si Presidentit të republikës për të kryer ceremoninë e betimit, jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit të magjistratëve. Edhe në rastin e magjistratëve, nëse ai nuk thirret nga këshilli brenda 10 ditëve, mund të betohet me shkrim. Ndryshimet për ceremoninë e betimit janë bërë si për magjistratët, ashtu edhe për anëtarët e Gjykatës së Lartë, ILD-së, për Prokurorin e Përgjithshëm dhe për kreun e SPAK. /Realstory.al/