PS nis punën javën tjetër për reformën zgjedhore, fton në tryezë edhe PD

POLITIKË


Javën e ardhshme Partia Socialiste do të organizojë një tryezë për reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e një spektri të gjerë të partive politike përfshirë këtu edhe PD-në. Lajmin e bëri të ditur për mediat kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili theksoi se maxhoranca vijon të kërkojë konsensus sa më të gjërë për reformën, por gjithsesi asnjë parti nuk do ta mbajë peng këtë reformë. Sipas Ballës, zgjedhjet e ardhshme do të bëhen me një kod të ri zgjedhor.

“Dëshira jonë ka qenë gjithmonë që reforma zgjedhore të kryhet me dakordësinë e një spektri të gjerë të politikës shqiptare. Përpjekjet për të arritur konsensus me PD-në vazhdojnë, kemi një tryezë javën tjetër dhe që do dëgjojmë mendimet e të gjitha forcave”, tha Balla.

Por i pyetur nëse PD nuk do të pranojë të ulet në tryezë për reformën zgjedhore, sekretari i Përgjithshëm i PS tha se: “Askush nuk duhet të mbaj peng reformën zgjedhore. Zgjedhjet e ardhshme duhet të behën me një kod të reformuar”.

Reforma zgjedhore është kusht dhe rekomandim i vazhdueshëm i OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë. Edhe në raportin e fundit për zgjedhjet e 30 qershorit, OSBE rekomandoi partitë politike në Shqipëri që të nisin dialogun dhe bashkëpunimin për realizimin sa më parë të kësaj reforme.

Taulant Balla ka folur edhe për negociatat ndërsa tha se Gjermania po shkon drejt marrjes së një vendimi pozitiv për Shqipërinë. Ai tha se çelja e negociatave me kushte është normale, pasi edhe vendet anëtare të BE, gjatë gjithë kohës duhet të plotësojnë kushte.

“Fakti që motori politikë bërjes së Europës që është Gjermania dhe vendeve  të tjera po shkojnë drejt një  PO-je, kjo është një arritje historike.

Në historinë e procesit të bisedimeve me vendet anëtare , gjithmonë fillimi i bisedimeve ka çështje prioritetesh. Kërkohen reforma në të gjithë sektorët, Shqipëria ka një avantazh ndër vendet e tjera, se kapitujt e parë dhe që do mbyllen të fundit për shtetin e së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Gjithmonë procesi procesi i integrimit europian shoqërohen me standarde dhe kushte që vendet anëtare duhet ti përmbushin. Edhe vendet që janë sot anëtare të BE-së, gjatë kohës që shoqërohen me kushte për të hyrë në Shengen shoqërohen me kushte”, tha ai.

Ai është pyetur nëse ka qenë kusht arrestimi i peshqve të mëdhenj të politikës apo zyrtarëve, por Balla ka thënë se Drejtësia e re duhet të jetë e pavarur dhe kjo do të finalizohet edhe me krijimin e SPAK dhe BKH.

“Funksioni i Drejtësisë së re nuk bëhet me plan apo me numra funksionarësh. Drejtësia duhet të funksionojë e pavarur dhe kjo do të arrihet dhe falë ngritje së SPAK dhe BKH”, tha Balla.

Gjatë të martës, Shqipëria do të vizitohet nga presidenti i KE, Donald Tusk. Ai pritet se do të japë lajmin e mirë për çeljen e negociatave për Shqipërinë më 18 tetor, kur do të mblidhet Këshilli i Europës./realstory.al



Skip to toolbar