PS prezanton sot në Kuvend ndryshimet kushtetuese për vettingun

Më të fundit


Nisma e 39 deputetëve socialistë për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut do të nisë sot procedurën parlamentare për ta dërguar në fund të diskutimeve për votim.

Këtë e ka njoftuar Kryetarja e Kuvendit, e cila do të drejtojë vetë mbledhjen e nisjes së procedurës për ndryshimet kushtetuese të depozituara nga socialistët dy javë më parë.

“Ju njoftojmë se nesër, më datë 1 nëntor, ora 14:00, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, do të thirret mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku do të prezantohet nisma e një grupi prej 39 deputetësh të shumicës parlamentare ‘Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 ‘Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar’”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit.

Mesa duket, nëntori po nis me një zhvillim politik i cili pritet ose të çojë palët drejt një tryeze bashkëpunimi, ose të krijojë një përplasje për shkak të mungesës së konsensusit. “Pazar” Miratimi i nismës së deputetëve socialistë për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut kërkon 93 vota, të cilat socialistët nuk i kanë. Për këtë kërkohet konsensus me Partinë Demokratike, e cila nuk është shprehur qartë nëse do ta japë votën e saj për këtë propozim. Por nga ana e tyre, demokratët kanë bërë propozimet e tyre për ndryshime kushtetuese. Kjo do të çojë palët në mënyrë të pashmangshme drejt një tryeze ku secili do të japë dhe marrë që të dalë sa më i fituar nga kjo negociatë.

Edhe pse nuk ka asnjë informacion për diskutime mes PS-së dhe PD-së për draftin e vetingut, socialistët kanë bërë hapin e parë duke i ftuar, ose detyruar demokratët që t’u bashkohen në këtë nismë. Nëse PD do ta kundërshtojë zyrtarisht këtë propozim të socialistëve, kjo do të thotë që demokratët janë para një presioni që PS po u bën atyre për të miratuar këtë ndryshim të Kushtetutës. Kryeministri Edi Rama është shprehur se zgjatja e mandatit të organeve të vetingut është domosdoshmëri dhe nuk negociohet.

“Zgjatja e vetingut është domosdoshmëri, nuk është diçka për t’u negociuar”, është shprehur Rama, i cili nuk i ka 93 votat që kërkon ndryshimi i Kushtetutës për organet e vetingut. Socialistët kanë në krah dhe ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së pro zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut deri në përfundim të skanimit të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve. Por nëse demokratët do ta mbështesin propozimin e socialistëve në Këshillimin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, kjo do të tregojë se mes palëve ka një pazar që po zhvillohet larg syrit të medias dhe publikut.

Mosdhënia e mbështetjes për propozimin e socialistëve do të çonte në bllokimin edhe të drafteve që PD ka depozituar për vetingun në politikë, hartën e re territoriale dhe ndryshimet kushtetuese që lidhen me zgjedhjet. Socialistët duke argumentuar se përse nuk është efektive vazhdimi i vetingut nga KLP-ja dhe KLGJ-ja, apo edhe SPAK-u, siç e përcakton Kushtetuta aktualisht, theksojnë në relacionin që shoqëron propozimin se “kjo rrezikon të vonojë më tej procesin e verifikimit dhe të pengojë Këshillat në funksionimin e tyre”.

Sipas socialistëve, “anëtarëve të Këshillave dhe SPAK-ut u mungon përvoja përkatëse në procesin e rivlerësimit dhe do duhet të familjarizohen me këtë proces për konsolidimin e procedurave të hetimit administrativ dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Në këto kushte, ekziston edhe rreziku i krijimit të mospërputhjeve, pra standarde të ndryshme për vlerësime të ndryshme”.

ARGUMENTET E PS PËR NISMËN KUSHTETUESE

Përse kërkohet zgjatja e mandatit të KPK-së dhe KP-së deri në 31.12.2024:

Skenari i parazgjedhur kushtetues (vazhdimi i rasteve të mbetura nga Këshillat – Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë) mbart rrezikun që Këshillave do t’u duhen afërsisht një vit për të vendosur rregullat dhe procedurat e tyre të brendshme dhe për të ndërtuar kapacitetin për marrjen përsipër të këtyre detyrave, ndërkohë që kanë detyra të rëndësishme për të kryer në menaxhimin e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë gjatë tranzicionit, ndërsa verifikimi/procesi i vetingut është në vazhdim.

Zgjatja e afatit të mandatit të KPK-së dhe KP-së, sipas propozimit të nismës ligjore, do të ishte dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në opinionin CDL-AD (2016)009 në situatën aktuale; ndërsa vazhdimi i rasteve nga Këshillat do të binte ndesh me këtë opinion pasi afati i përfundimit të procesit është më i gjatë se zgjidhja e propozuar nëpërmjet nismës.

Anëtarëve të Këshillave dhe SPAK u mungon përvoja përkatëse në procesin e rivlerësimit dhe do duhet të familjarizohen me këtë proces për konsolidimin e procedurave të hetimit administrativ dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Në këto kushte, ekziston edhe rreziku i krijimit të mospërputhjeve, pra standarde të ndryshme për vlerësime të ndryshme.



Skip to toolbar