PS teston votimin elektronik, Rama kunj Bashës: U harrua si Himni Kombëtar

AKTUALITET


Socialistët po testojnë votimin elektronik në zgjedhjen e delegatëve për kongresin e Partisë, për të cilin kryeministri Rama tha pas votimit se është i sigurtë dhe i padepërtueshëm nga forcat e errëta dhe se përdorimi i tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është plotësisht i mundshëm.

Rama tha se votimi elektronik ka qenë një kërkesë e hershme e PD-së e cila u harrua ashtu siç u harrua edhe himni kombëtar, ironi kjo drejtuar kreut të PD-së, Basha, i cili në fund të çdo proteste këndonte himinin kombëtar, por prej muajsh PD ka hequr dorë nga protestat, megjithëse premtoi rikthimin e tyre.

“Kemi përgatitur një proces të tërë para zgjedhjeve që kaluan për të qenë të gatshëm që t’i përgjigjemi me pozitivitet një kërkese të shumë kërkuar por të harruar siç u harrua dhe himni kombëtar, votimi elektronik. Mbetet për t’u parë në të ardhmen, është absolutisht një votim i mundshëm, nuk është online por offline dhe i padepërtueshëm nga forca të errëta”, tha më tej kreu i qeverisë.

Socialistët votojnë këtë të dielë delegatët për kongresin e partisë ku Rama vuri theksin në betejën e grave për të drejtuar organizatat e partisë.

“Siç e dini me siguri sepse për këtë kemi ardhur ne sot kemi zgjedhjet pas një procesi tërësor në të gjitha zonat dhe në të gjitha qendrat e votimit ku ne kemi për çdo qendër një organizatë. Unë doja të fokusohesha tek fakti që është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë për të pasur një parti ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër janë të barabartë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Dhe vendimi për të përfaqësuar nga të dy një organizatë është pritur pozitivisht. Do të duhet dhe disa kohë që ne të kemi barazi në drejtim. Sot dua t’i falënderoj të gjitha gratë e vajzat që janë përfshirë në afirmimin e këtij vullneti. Dua t’i nxis të bëjnë betejën e tyre në çdo organizatë”, deklaroi Rama.



Skip to toolbar