PS zgjedh delegatët më 16 nëntor, Spiropali: Mandat të tretë për Ramën

AKTUALITET


Partia Socialiste prezantoi të shtunën në Tiranë nën moton “Ti Zgjedh” kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 16 nëntorit për delegatë në Kongresin e kësaj partie. Në fjalën e saj në këtë takim, Elisa Spiropali, deklaroi se PS i duhet një mandat i tretë në zgjedhjet e 2021, me Edi Ramën kryeministër, pasi sipas saj, kthimi mbrapa do të ishte fatal për Shqipërinë.

“Në janar presim të kemi një proces të jashtëzakonshëm me të gjithë prurjet e reja për të zgjedhur Asamblenë dhe strukturat drejtuese. Kjo është gjysma e punës që na duhet për mandatin tonë të tretë në 2021, me Edi Ramën kryeministër dhe PS si mazhorancë. Është i rëndësishëm ky mandat për të vazhduar rrugën tonë. Çdo kthim mbrapa do të ishte jo vetëm i dëmshëm, por fatal për Shqipërinë”, tha Spiropali.

Spiropali më pas renditi punët e bëra nga qeveria socialiste duke thënë se Rilindja Urbane ka transformuar disa qytete, ku tashmë Tirana është qyteti më i mirë në rajon.

“Ne zgjodhëm rrugën e përballjes me të vërtetë, rrugën e transformimit të drejtësisë, rrugën e punës të luftës kundër informalitetit. Ne zgjodhëm të jemi një qeveri e përgjegjshme, jo për brezin që shkoi, po për brezat që do të vijnë dhe që duan një Shqipëri Evropiane. PS nuk e ka qëllim në vetvete pushtetin, por e ka mjet për të transformuar jetët e njerëzve, për të ndryshuar mendësitë, për të transformuar qytetet. Mjafton të hedhësh sytë në Tiranë, për të cilin mund të themi se është qyteti më i mirë në rajon.

Rilindja Urbane transformoi shumë nga qendrat tona, jo vetëm Tiranën, por edhe Kavajën, së shpejti edhe Kamzën, me kryebashkiakun e ri, një qendër ku njerëzit nxirreshin si turma për të ardhur në Tiranë e për të djegur kryeministrinë. Më 30 qershor ne nuk votuam vetëm për të zgjedhur kryebashkiakët, se ato do t’i zgjidhim edhe me PD përballë, por ne votuam për të thënë se Shqipëria është shtet dhe askush nuk mund ta marrë peng. Asnjë forcë e errët nuk mund të marrë peng procesin demokratik dhe të hedhë në erë të ardhmen, ndaj ndërkombëtarët na mbështetën. Është kjo arsyeja pse prej shtatorit ne kemi nisur procesin e jashtëzakonshëm të riorganizimit të PS në çdo qelizë”, u shpreh ajo.



Skip to toolbar