Pse Kina ka rrethuar Tajvanin?

BOTA


Qeveria kineze i quan ushtrime, por parë nga jashtë duken më shumë si një kërcënim konkret. Bëhet fjalë për manovrat e forcave ushtarake të Pekinit rreth ishullit të Tajvanit. Një shtet autonom dhe i pavarur është vazhdimisht nën presionin e Kinës, e cila pretendon sovranitetin e saj.

Por tajvanezët perceptohen nga Partia Komuniste si separatistë.

Skenari ndërkombëtar është i njohur: janë dy luftëra që po zhvillohen, njëra në Evropë me konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë dhe tjetra në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe boshtit të rezistencës të udhëhequr nga Irani. Hapja e një fronti të ri në Azi vetëm sa do të destabilizonte më tej ekuilibrat globale, duke kërcënuar seriozisht paqen.

Shtetet e Bashkuara thanë se janë seriozisht të shqetësuara për stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore rreth Tajvanit.

Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet pse Kina dëshiron të aneksojë Tajvanin. Gjithçka filloi me përfundimin e luftës civile kineze, me fitoren e komunistëve të udhëhequr nga Mao Tse Tung dhe humbjen e nacionalistëve të Chiang Kai-shek.

Ky i fundit, pasi humbi kontrollin e Kinës kontinentale, u strehua në bastionin e fundit të Republikës së Kinës, pikërisht në Tajvan. Ishulli, që sot ka rreth 23 milion banorë, vazhdoi ta konsideronte veten si qeveria e vërtetë legjitime e Republikës së Kinës, një pasardhës i drejtpërdrejtë i asaj të themeluar në vitin 1912 mbi rrënojat e perandorisë Qing.

Tajvani ka evoluar me kalimin e viteve në një demokraci me ushtrinë e vet, e cila ndër të tjera i ka garantuar për dekada mbrojtje të mjaftueshme përballë planeve të Partisë Komuniste Kineze.

Por çështja nuk u zgjidh kurrë realisht. Për Kinën, Tajvani është një provincë rebele që duhet ribashkuar, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Arsyet e kësaj dëshire për ribashkim janë të shumta. Nga njëra anë ka arsye ideologjike, Kina nuk mund të pranojë ekzistencën e një entiteti të veçantë që e quan veten Republika e Kinës, dhe nga ana tjetër ka edhe arsye strategjike.

Partia Komuniste Kineze nuk duket e gatshme të heqë dorë nga këto objektiva. Prandaj, ditët e fundit ajo rrethoi ishullin e Tajvanit me avionë dhe anije ushtarake.

Manovrat ushtarake kineze rrotull Tajvanit mund të shpjegohen si një përgjigje ndoshta e planifikuar prej kohësh nga qeveria kineze ndaj deklaratave të bëra nga autoritetet tajvaneze, veçanërisht Presidenti i Republikës, me rastin e festës së fundit kombëtare të Tajvanit. Në këtë pikë, për të kuptuar situatën, nevojitet një analizë pak e thellë.

Tajvani u bë selia e një qeverie nacionaliste kineze në vitin 1948, kur qeveria nacionaliste u mund gjatë luftës civile.

Që nga ajo kohë, Kina Popullore dhe Kina Nacionaliste, dmth Tajvani, kanë vazhduar një rrugë të veçantë të zhvillimit politik dhe social. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, Tajvani mori shpejt mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, megjithëse joformalisht, dhe hyri në sistemin gjeopolitik të SHBA-së për të gjitha qëllimet dhe arsyet. Megjithatë, autoritetet kineze nuk e kanë njohur kurrë atë që ata e konsiderojnë si një shkëputje.

Kjo është arsyeja pse Pekini ka mbështetur gjithmonë nevojën që Tajvani të kthehet, siç pretendon qeveria e Pekinit, nën sovranitetin e vendit amë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse autoriteti tajvanez, qeveria tajvaneze, ka qenë kundër kësaj që në krye të herës.

Në fakt, është një situatë që tani duket se nuk ka rrugëdalje. Asnjëra palë nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pozicionet e veta.

Nga ana tjetër, një zgjidhje ushtarake duket, sipas të gjithë analistëve, e realizueshme. Ajo që shohim është vazhdimisht kjo përsëritje manovrash, përsëritje operacionesh ushtarake kineze në afërsi të Tajvanit, ujërave territoriale dhe hapësirës ajrore. Manovra, qëllimi përfundimtar i të cilave është në thelb të mbajnë fokusin mbi çështjen e Tajvanit.

Kina nuk dëshiron të heqë dorë nga ky ishull për shumë arsye. Është e vërtetë gjithashtu, që Shtetet e Bashkuara nuk duan të heqin dorë nga një Tajvan i lirë dhe demokratik.

Është po kaq e vërtetë që motivimet janë ideologjike edhe në këtë rast. Kjo do të thotë, Shtetet e Bashkuara kanë thënë gjithmonë se ne mbrojnë demokracitë. Por ka edhe arsye ekonomike dhe tregtare për Shtetet e Bashkuara.

Kontrolli i Tajvanit do t’i jepte Kinës ndikim të madh në Paqësor dhe do të përmirësonte ndjeshëm aftësinë e saj për projeksion ushtarak në rajon. Për më tepër, Tajvani është një qendër teknologjike me rëndësi parësore, veçanërisht për prodhimin e gjysmëpërcjellësve, që janë jetikë për industrinë globale. Prandaj, Shtetet e Bashkuara nuk mund të pranojnë që Kina të kontrollojë këtë ishull shumë të rëndësishëm. / bota.al



Skip to toolbar