Pse vazhdojnë të fshihen të dhënat mbi vrasjen e Xhon Kenedit?

BOTA


Nga James K.Galbraith

Kët ditë kam bluar në mendje se cila është arsyeja e vonesës së re mbi publikimin e plotë të tëdhënave që kanë të bëjnë me vrasjen e presidentit Xhon Kenedi në Dallas më 22 nëntor 1963. Pra një ngjarje që ka ndodhur 58 vjet më parë.

Ndërkohë, ka kaluar më shumë kohë që nga 26 tetori i vitit 1992, kur Kongresi urdhëroi publikimin e plotë dhe të menjëhershëm të pothuajse të gjitha të dhënave të vrasjes së Kenedit, më shumë sesa kishte kaluar nga vrasja dhe deri tek miratimi i atij ligji.

Senatori i ndjerë Xhon Glen nga Ohajo – një astronaut-hero i epokës Kenedi – ishte autori i ligjit të vitit 1992. Ai përcaktonte ndër të tjera se “të gjitha të dhënat e qeverisë në lidhje me vrasjen duhet të bëhen publike” dhe se “vetëm në raste më të rralla, ekziston ndonjë nevojë legjitime për mbrojtjen e vazhdueshme të të dhënave të tilla”.

Kongresi ishte i saktë në specifikimin se kur mund të ekzistonte një nevojë e tillë. Mbrojtja e identitetit të një agjenti të shërbimeve sekrete që “aktualisht kërkon mbrojtje” ishte një rast i tillë. Po kështu, çdo burim apo metodë e shërbimeve sekrete “aktualisht e përdorur” meritonte mbrojtje.

Në disa raste, mund të jenë parësore shqetësimet për privatësinë. Së fundi, ai ligj kishte një gjuhë që e përjashtonte çdo çështje tjetër në lidhje me “mbrojtjen, operacionet e inteligjencës apo marrëdhëniet me jashtë, zbulimi i të cilave do të dëmtonte dukshëm sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Pas 25 vjetësh, këto dispozita u shfuqizuan, ndaj ligji kërkon që presidenti në detyrë të vërtetojë se “shtyrja e vazhdueshme mbetet e nevojshme, për t’u mbrojtur nga një dëm i identifikueshëm ndaj mbrojtjes ushtarake, operacioneve të inteligjencës, zbatimit të ligjit apo cënimit të marrëdhënieve me jashtë, që tejkalojnë interesin publik të zbulimit të disa të dhënave”.

Më 22 tetor 2021, presidenti Xho Bajden e përdori këtë justifikim, gjoja për një periudhë të përkohshme, duke i ngarkuar agjencitë federale përkatëse që të shqyrtojnë të gjitha të dhënat e mbetura dhe të raportojnë deri më 1 tetor 2022, për çdo rast kur mbetet ende rreziku i një dëmi të tillë të identifikueshëm.

Por çfarë “dëmi të identifikueshëm” mund të ketë ende? Në raportimin e kësaj historie, The New York Times na kujton se një “hetim shterues 1-vjeçar mbi vrasjen e presidentit, i udhëhequr nga kreu i drejtësisë Erl Uorren, arriti në përfundimin se Li Harvi Osvald veproi i vetëm”.

Ashtu si Kenedi, edhe Osvald ka vdekur para 58 vjetësh. Nëse ai do të vepronte i vetëm, dhe nëse një hetim shterues do ta vërtetonte këtë fakt 57 vjet më parë, atëherë çfarë sekreti mund të lihej pa u thënë? Në rast se ai ka vepruar i vetëm, atëherë nuk kishte palë të tjera fajtore. As atëherë, as 29 vjet më vonë, dhe as sot.

“The NewYork Times” bën dallimin midis “studiuesve dhe teoricienëve të konspiracionit”. Dikush mund të arrijë në përfundimin se studiuesit janë ata që i besojnë Komisionit Uorren, ndërsa teoricienët e konspiracionit jo.

Por përveç atyre pak njerëzve që kanë bërë karrierë duke mbrojtur Komisionin kundër kritikëve të shumtë, lind pyetja pse do të interesohej për këtë rast kushdo që nuk i besonte historisë zyrtare? Në fakt, siç e pranon edhe vetë“Times”, njerëzit janë të interesuar mbi këtëçështje.

Sondazhet zbulojnë se “shumica e amerikanëve besojnë se në atë ngjarje ishin të përfshirë edhe të tjerë”. Pra shumica e amerikanëve pranojnë një teori konspirative. Ata mendojnë se historia e “një autori të vetëm” nuk mund të pajtohet me pretendimin se mbrojtja kombëtare, operacionet e inteligjencës apo marrëdhëniet me jashtë do të rrezikoheshin në vitin 2021 nga publikimi i të gjitha dokumenteve, pa redaktime, siç kërkohet nga ligji, gati 58 vjet pas vrasjes së Kenedit nga një person i vetëm i armatosur.

Unë nuk po e akuzoj Bajdeni apo agjencitë, që e këshilluan atë mbi këtë çështje, që ishte thyerje e ligjit. Përkundrazi, unë e pranoj justifikimin sipas të cilit një zbulim i plotë i të gjitha dokumenteve do të komprometonte marrëdhëniet ushtarake, inteligjente dhe ato me jashtë.

Dhe nuk është e vështirë të imagjinohet se si do të ndodhte kjo. Supozojmë për hir të debatit, se ka pasur një komplot. Supozojmë sikur dokumentet që ende mbeten sekret, së bashku me ato që tashmë janë bërë publike, do të vërtetonin atë që tashmë besojnë shumica e amerikanëve.

Në këtë rast, do të ishte e qartë se komploti do të përfshinte zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane, përfshirë edhe drejtuesit e agjencive që aktualisht janë të ngarkuara me shqyrtimin e të dhënave. Dhe logjikisht rezulton se gjatë çdo administrate, ka vijuar fshehja e të dhënave.

A nuk është në fakt kjo e vetmja mënyrë e besueshme se si mund të dëmtohen interesat aktuale të këtyre agjencive? Ironia është se duke i mbajtur të fshehta të dhënat, tashmëqeveria e ka pranuar edhe pa e pohuar se Komisioni Uorren gënjeu, dhe se kjo çështje bart sekrete të pista, të cilat ajo është e vendosur që t’i mbrojë.

Me këtë sjellje ajo pranon se ka pasur një komplot, dhe se ka një mbulim të vazhdueshëm të këtij të fundit. Po të mos kishte diçka të tillë, të gjitha të dhënat e dosjes do të ishin publikuar shumë kohë më parë. Që të mbërrish në këtë përfundim, nuk ka nevojë që të jesh një “teoricien i konspiracioneve”.

Mbani shënim këto që po ju them:Afati i ri i vendosur nga Bajden për tetorin e vitit2022 do të vijë dhe shkojë. Do të vazhdojë e njëjta qasje. Asnjë nga ata që e kujton ngjarjen vitit1963, nuk do të jetojë për të parë qeverinë amerikane të pranojë të vërtetën e plotë për vrasjen e Kenedit. Dhe besimi i popullit amerikan tek demokraci do të vazhdojë që të zbehet. Ka vetëm një mënyrë për ta parandaluar këtë, dhe ajo është publikimi i gjithçkaje mbi atë dosje, dhe kjo duhet bërë tani.

Shënim: James K.Galbraith, lektor në Shkollën e Marrëdhënieve Publike në Universitetin e Teksasit. Ai është autori i librit “Pabarazia:Shkatërrimi i Greqisë, dhe e ardhmja e Evropës”./ “Project Syndicate” – Bota.al



Skip to toolbar