Gjykatës e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka pezulluar nga detyra drejtorin në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Gëzim Sala. Ai është nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet nisën pas kallëzimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi punësimin në kundërshtim me ligjin pranë kësaj agjencie të Muçi Shalianit, i cili humbi jetën në rrethrrotullimin e Rinasit, i qëlluar me armë zjarri së bashku me Gilmando Danin.
Nga hetimet rezultoi se Shaliani, ishte punësuar prej afro 2 muajsh, si punonjës i AMP-së në funksion ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Prokuroria provoi se dokumenti i gjendur këtij shtetasi ishte i falsifikuar pasi nuk rezultonte që AMP ta ketë pajisur me dokument.
Ky shtetas kërkoi të punësohej në AMP më 09 shtator 2025 dhe pranimi i tij më 15 shtator 2025, nëpërmjet një urdhri, rezulton haptazi në kundërshtim me ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Në këto akte ligjore dhe nënligjore përcaktohet qartë se rekrutimi i punonjësve të AMP-së bëhet nëpërmjet konkurimit, shpalljes së vendeve vakante, krijimit të komisioneve përkatëse, testimit, verifikimit përfundimtar për kualifikimin/skualifikimin e aplikantëve deri në përpilimin e kontratës, urdhrin e emërimit në detyrë dhe periudhën e provës.
Drejtori i Drejtorisë Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, Sala , shprehet se procedura e ndjekur për rekrutimin e Shalianit nuk është ligjore dhe se ai në këtë proces ka nënshkruar miratimin vetëm për anën formale të akteve dhe jo në përmbajtje. Ndërkohë që ky shtetas ka kërkuar që ky urdhër të bëhej shpejt me motivacionin ‘pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”.
Nga hetimet u zbulua se i ndjeri Shaliani u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur është paraqitur zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025, që i janë lidhur marrëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP-së.
Ai u pagua me rrogë të rregullt nga data 16 shtator 2025 deri ne date 11 tetor 2025 (data e ngjarjes në rrerotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.
