Qan në sallën e gjyqit, mohon akuzat!, dëshmia e “menaxherit” të vrasjeve në Tiranë

AKTUALITET


Bujar Leza, 45-vjeçari i dyshuar si ‘menaxher’ i vrasësve me pagesë dhe si bashkëpunëtor në ekzekutimin e biznesmenit Behar Sofia, i është caktuar masa ‘arrest me burg’ këtë të hënë.

Burime bëjnë me dije se 45-vjeçari ka mohuar akuzat para gjykatësve, teksa mes lotësh ka thënë se nuk ka lidhje me vrasjen e biznesmenit e as me të tjera ngjarje të tilla.

Megjithatë Gjykata pranoi kërkesën e SPAK, duke e lënë Bujar Lezën në qeli. 45-vjeçari aktualisht ndodhet në burg, i arrestuar 3 muaj më parë për dhunë në familje, pasi ka dhunuar fizikisht bashkëshorten. Dyshohet se ai ishte koordinator mes porositësve dhe vrasësve me pagesë, ndërsa nga hetimet rezulton se ai ka qenë personi që ka gjetur armën dhe biçikletën që u përdorën për vrasjen e 66-vjeçarit Sofia.

Bujar Leza akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ai është personi i 4 i arrestuar për vrasjen e Behar Sofisë.

Më herët janë arrestuar edhe 3 të tjerë të cilët bashkëpunuan me autorin e vrasjes me pagesë të Ernejt Shyti, i cili pohoi se u premtuan 50 mijë euro për ekzekutimin e biznesmenit.  66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge”, u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë.



Skip to toolbar