Qarkorja e dyshimtë e opozitës: “Të prishen zgjedhjet me çdo kusht”. Por PD e mohon

Më të fundit


Një qarkore e dyshimtë, ku deklarohet se Partia Demokratike ka mobilizuar strukturat për të mos lejuar zgjedhjet e 30 qershorit, duke u dhënë detyra konkrete destabilizuese, është siguruar nga Realstory.al, por ajo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga PD.

Letra me udhëzime, që u bë publike nga gazetari Sokol Balla në emisionin Real Story në Vizion Plus, është siguruar nga burime pranë Partisë Demokratike. Nga kjo letër mësohet se opozita ka një plan të rrezikshëm që mund të çojë në destabilitet, pasi PD ka porositur të gjitha degët e saj dhe kryetarët e bashkive, duke dhënë detyra konkrete, që sipas opozitës, aksioni do të fillojë nga data 27 qershor deri më 2 korrik.

Në këtë dokument flitet me gjuhën e dhunës, ku deklarohet se vijon “përballja sipas modelit të Shkodrës, kudo ku shkon Edi Rama”. “Duke filluar nga sot tensioni i përballjes duhet të rritet. Degët që janë brenda të njëjtit qark apo afër me njëra-tjetrën të koordinojnë për të rritur forcën e pjesëmarrjes dhe përballjes. Të gjitha degët të njoftojnë bashkitë dhe policinë, që në datat 27 qershor deri më 2 korrik 2019, në të gjithë territorin e bashkisë, do të organizohen tubime në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë. Detyrimi është vetëm për njoftim. Nuk pritet leje. Vendet e zhvillimit të tubimit të jenë të gjitha rrugët e qytetit dhe fshatrat, duke specifikuar veçanërisht lagjet apo zonat ku janë të vendosur KZAZ, GNV dhe qendrat e votimit. Orari i tubimit të jetë:pa ndërprerje”, porosit Partia Demokratike.

Më tej, PD kërkon që të hartohen plane për të mos lejuar zgjedhje në asnjë zonë, ku më e preferuara sipas tyre, është të arrihet para 30 qershorit, nëpërmjet shkatërrimit të materialeve zgjedhore. “Të hartohet plani sipas specifikave të degës për të mos lejuar votime më 30 qershor. Kjo duhet të arrihet ose përpara datës 30 nëpërmjet bllokimit të KZAZ në shpërndarjen/dëmtimin e materialeve. Kjo është më e preferueshme nëse arrihet objektivisht, ose pa dhunë në qendrat e votimit me një metodë që shmangë përplasjen fizike. Është e pranueshme që të ketë përballje me policinë, por jo akte të forta dhune, dëmtime/djegie godinash apo persona të lënduar. Kurrësesi persona të lënduar. Interesi i Edi Ramës është që ne të bëjmë dhune dhe të lëndojmë njerëz, prandaj duhet shmangur kjo me çdo kusht. Ligjërisht pas dekreti të presidentit, është Edi Rama në paligjshmëri dhe jo opozita. Të shmanget me çdo kusht përballja me militantët e PS dhe të mos biem pre e asnjë provokimi të tyre”, deklarohet në porositë e opozitës.

Madje, porosi i është dhënë edhe aleancës për mbrojtjen e demokracisë, një strukturë e krijuar nga PD  për monitorimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, por që janë mobilizuar për moslejimin e zgjedhjeve. Kjo strukturë është porositur që të dalin njëkohësisht me deklaratë të martën, që po rrezikohet demokracia dhe ato nuk do ta lejojnë këtë. “Thirrje masive për të mos dalë në votime, nëse ato do të tentohen të bëhen. Të ngrihet grup pune që pamundësojnë votimet. Të hartohet modeli më i zbatueshëm sipas degëve dhe mundësive që ka çdo degë. Aty ku PD dhe aleatët kanë bashkinë, plani të hartohet dhe zbatohet në koordinim me kryetarin dhe strukturat e bashkisë. Është e domosdoshme që të koordinojmë me të gjitha partitë aleate. Të ngrihet grup pune që dokumenton dhe evidenton çdo shkelje që ato po bëjnë (presion administratës për të dalë në votime, përdorim të administratës në fushata, veprimet e paligjshme të policisë, blerje të votuesve etj). Të caktohen nga dy persona që monitoron çdo Qendër Votimi”, deklarohet në qarkoren e siguruar nga Real Story.

Por, Realstory.al kontaktoi edhe me Partinë Demokratike, ku kjo e fundit e mohoi të ketë shpërndarë udhëzime të tilla. Letra u sigurua vetëm pak kohë pasi kreu i PD, Basha doli në një deklaratë për mediat, ku kritikoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili ka legjitimuar pavflefshmërinë absolute të dekretit të Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, me një vendim unanim pesë me zero.

Megjithatë, gazetari Sokol Balla tha në Real Story se sipas burimeve diplomatike, ky dokument është në proces verifikimi. Sipas të dhënave, dyshohet se ky dokument ka dalën nga sekretariati i PD, por që ende nuk është verifikuar plotësisht./ Realstory.al



Skip to toolbar