Qeveria e re serbe me mandat të kufizuar, Vuçiç: Në zgjedhje në prill të 2022

BOTA


Qeveria e re e Serbisë do të ketë një mandat të kufizuar, jo më gjatë se deri më 3 prill të vitit 2022, kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, njoftoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njëherësh udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe, e cila i ka fituar bindshëm zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor.

Përveç partisë së tij, në qeverinë e re do të përfshihet edhe ish-partneri i tij, Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiqit dhe Lidhja Patriotike Serbe e Aleksandar Shapiqit, e cila deri më tash ka qenë në opozitë.

”Daçiq, ministër i deritashëm i Punëve të Jashtme, do të jetë kryetar i Kuvendit të Serbisë”-, njoftoi të martën Vuçiq.

Ai nuk i bëri publikë emrat e ministrave të ardhshëm, duke thënë se do ta bëjë këtë pas bisedimeve shtesë brenda partisë.

Lista përfundimtare e ministrave do të bëhet publike më 25 tetor, tha Vuçiq.

Ai tha se do të ketë disa ministri të reja, përfshirë Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Dialogun.

”Detyra kryesore e qeverisë së re”, -siç tha Vuçiç, ”do të jetë ruajtja e shëndetit të qytetarëve dhe një sistem i fortë shëndetësor”.

”Detyra e dytë”, -shtoi ai, ”janë interesat e Serbisë në Kosovë”./REL



Skip to toolbar