Qeveria miraton projektin “Porta e Alpeve”, Karakaçi: Korridor i integruar mes alpeve dhe detit

AKTUALITET


Këshilli i Ministrave ka miratuar sot projektin Porta e Alpeve, një investim i Bankës Europiane dhe qeverisë shqiptare. Lajmin e dha pas mbledhjes së qeverisë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, sipas të cilit fondi total i investimit do të jetë 100 milionë euro dhe do të shërbejë për rehabilitimin e shesheve urbane, bulevardeve dhe qendrave multifunksionale, si edhe për bregdetin e Velipojës, Bunës dhe Alpeve.

Karakaçi theksoi se investime do të kryhen edhe në rrjetet e kanalizimit të ujësjellësit dhe transportin urban, si edhe menaxhimin e ndotjes urbane.

“Sot në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar një projekt të rëndësishëm infrastukturor për qarkun e Shkodrës. Quhet Porta e Alpeve, një marrëveshje investimi me Bankën Europiane, 50 milionë euro dhe 50 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Rehabilitim i shesheve urbane, rikonstruksioni i bulevardeve dhe qendrave multifunksionale. Komponenti tjetër ka të bëjë me investime infrastrukturore që lidhin bregdetin e Velipojës, urës së Bunës dhe pjesën e Alpeve. Investim në rrjetet e kanalizimit e ujësjellësit dhe transportin urban dhe menaxhimin e ndotjes urbane”, tha ministri.

Sipas tij “me anë të kësaj marrëveshjeje krijojmë korridor të integruar mes alpeve dhe detit Adriatik për një sezon të plotë turistik nga dimri në verë dhe duke përmirësuar zhvillimin ekonomik të qarkut Shkodër”.



Skip to toolbar