Qeveria rihap Tik Tok/ Dialog me platformen për masa mbrojtëse

AKTUALITET


Qeveria rihapi zyrtarisht rrjetin social TikTok. Një muaj pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se ndalimi 1-vjeçar i TikTok, nuk do zgjatet më shumë, Këshilli i Ministrave, vendosi heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.

Në vendim i rekomandohet, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e aksesit në platforme, duke respektuar dispozitat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.

Vendimmarrja vjen pas një konsultimi me kompaninë ndërsa me herët kreu i qeverisë ka konfirmuar partneritetin me platformën për masat e reja mbrojtëse.

TikTok u ndalua në Shqipëri në mars të vitit 2025 pas konsultimeve të shumta në lidhje me abuzimet online dhe vetëvrasjeve që dyshohet se ishin të lidhura me përdorimin e platformës.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm.

Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Por ngjarja që i dha shtysën përfundimtare vendimit për mbylljen ishte vrasja me thikë e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës Fan Noli në kryeqytet, pas një sherri që nisi pikërisht në rrjetet sociale.

Pas asaj tragjedie të rëndë shumë ngritën pikëpyetje nëse duhet të ketë rregulla më të ashpra për përdorimin e TikTok sidomos nga të miturit. Dhe tashmë që shqetësimet janë adresuar, platforma do të funksionojë sërish në Shqipëri.



Skip to toolbar