Rama ‘dajak’ deputetëve: Kush s`doli në fushatë, do përjashtohet nga PS

AKTUALITET


Gjatë analizës për zgjedhjet e 30 qershorit në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat për disa deputetë të PS, të cilët sipas tij u kujtuan për qytetarët vetëm javën e fundit të fushatës elektorale. “Është koha që secili në këtë sallë të bëj kilometrat e vetë. Dua ta them se sot nuk mund të ketë më deputetë që marrin malet për të takuar njerëz, deputetë që marrin njerëzit në krahë për tu zgjidhur një hall, dhe nga ana tjetër deputetët, që edhe në fushatën e 30 qershorit, kanë shkuar tek njerëzit javën e fundit. Nuk mund të ketë më anëtar të asamblesë së PS, që kujtohen për partinë vetëm me ftesa në mbledhjen e asamblesë, dhe që nuk shfaqen tek njerëzit”, u shpreh Rama. Kreu i PS dha një mesazh të fortë në këtë drejtim, duke u shprehur; “Kush nuk i përgjigjet ritmit që kërkon 30 qershori, nuk do jetë më në projektin tonë politikë në vitin 2021. Do të dalë nga projekti politik i vitit 2021. Sot, është gjëja e fundit që dua të ndodh, do dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike, cdo kryebashkiak që do bëj gabimin të mendojë se tani që po merr mandatin, mund të bëj pa njerëzit dhe mund të bëj pa ne”, tha Rama.

Duke nisur nga muaji shtator Partia Socialiste do të futet në zgjedhjet e brendshme të saj, të cilat do të përfundojnë në janar të vitit 2020. Në këtë drejtim, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky proces do të shërbejë si një proces debati kombëtar, për të folur e dëgjuar e më pas për të adresuar korrigjimet e nevojshme në qeverisjen në nivel qendror dhe vendor. “Tani PS do të hyjë në zgjedhjet e veta të brendshme nga shtatori deri në janarin e ardhshëm në kongres. Ndaj me ju bindjen se objektivi ynë për këto zgjedhje të brendshme duhet të jetë realizimi i një procesi të thellë i komunikimit dhe hapjes së PArtisë Socialiste, që kemi realizuar më parë në zgjedhjet. Kjo kërkon që gjithë lidershipi i partisë, të zbresim në tokë në kuptimin e plotë të fjalës. Në mënyrë që çdo organizatë socialiste, në 5500 që janë, të kenë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejt me ne. Në mënyrë që të krijohet mundësia e komunikimit të drejtpërdrejt të njerëzve me ne, debat në cdo organiztë me anëtarët e partisë. Debat me simpatizantët dhe cdo qytetar që do të marrë pjesë, pavarësisht bindjeve. Zgjedhjet tona të brendshme nuk mund ti ngjajnë zgjedhjeve tona të brendshme të mëparshme, por duhet të jenë një proces debati kombëtar jo vetëm partiak, për të folur e dëgjuar dhe adresuar korrigjimet e nevojshme në qeverisjen në nivel qendror dhe vendor”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u kujtoi përsëri bashkiakëve të rinj, që do të drejtojnë bashkitë që më parë drejtoheshin nga të djathtët, se nuk duhet të prekin asnjë grua që punon në administratë. “Janë jo pak ata që kaluan vijën e kuqe të ligjit më 30 qershor, dhe sot që flas nuk flenë në shtëpi. Por, dua ta them shumë qartë, kush ka thënë thjesht një viktimë e presionit për të ardhur në bulevard, nuk duhet të preket dhe nuk ka pse të preket për këtë arsye në të drejtën e tij për të vazhduar punën në bashkitë që ne nuk i fituam me kundërshtarë, por që 30 qershori na i ka lënë si barrë për të treguar kush jemi. E kam thënë shpesh herë në fushatë, dhe dua ta dëgjojnë shumë mirë kryetarët e bashkive që janë këtu, asnjë grua, asnjë vajzë, nuk do të largohet na puna në asnjë nga bashkitë e djathta që nuk janë më në duart e kryebashkiakvë të djathtë. Largqoftë që mund të dalë ndonjë që do bëj të kundërtën, por ne do bëjmë cmos që asnjë revansh politik mbi administratën të mos lejohet”, tha Rama.



Skip to toolbar