Rama e padit për shpifje, Haradinaj: E kam vëlla…

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do ta padisë për shpifje në gjykatë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn për deklaratën e fortë që ai ka bërë se Rama, Vuçiç e Thaçi do të ndanin 10 miliardë euro në tavolinë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Haradinajt i cili tha në një prononcim për News 24 se Rama ka të drejtën e tij dhe ai e respekton vendimin e tij. Haradinaj theksoi se ai do të vazhdojë të jetë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ky qëndrim i tij është legjitim dhe ai do të vazhdojë ta mbrojë këtë qëndrim.

 “Sot kam parë disa tituj të portaleve në Kosovë. Por se kam përcjell direkt intervistën e tij. E kam shprehur qëndrimin tim në lidhje me refuzimin dhe kundërshtimin e ndarjes së territoreve, që ka qenë një maskim për ndarjen e Kosovës. Ajo do kishte pasoja të mëdha për planin politik të Kosovës dhe humbje të madhe për të. Rezervat më të mëdha në Europë gjendjen në Trepçë. Ky ka qenë vendim legjitim i imi. S’kam koment për deklarata të tjera. Ai ka të drejtat e veta, ia respektoj. Unë i kam mbajtur ato qëndrime legjitime dhe vazhdoj t’i mbaj. Për Atdheun para se gjithash. S’dua të kaloj në qasje të tjera. I kam vëllezër kudo që janë shqiptarët, edhe të majtët dhe të djathtët. Detyra ime në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve. Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim. I respektoj të gjitha të drejtat e kryeministrit, apo dhe të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Haradinaj.

Gjatë emisionit Opinion, të enjten në mbrëmje Rama tha se do ta padisë Haradinajn në Gjykatë për deklaratën e bërë, për ndarje parash mes Ramës, Thaçit dhe Vuçiç.

“Në gjykatat e Kosovës, zotëria duhet të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndanim unë, Hashim Thaçi dhe Vuçiçi. Që t’i thuash një populli se ishin 10 miliardë në tavolinë atyre bravo ju qoftë që marrin akoma vota.

Ky dha dorëheqjen me demek dhe është akoma kryeministër i Kosovës, një person që më detyroi të dal publikisht, që gënjeu publikisht pas samitit të Berlinit. Në asnjë sekondë nuk i kam bërë presion që të heqë taksën.

I kam thënë vetëm që “kjo që të propozon Makron të vjen vetëm një herë”. Makron në sy tim, kancelares dhe presidentit të Serbisë i tha: “Më jep 4 muaj Ramush dhe do futem unë në procesin e dialogut. Ti pezulloje taksën. Nuk i tha njeri hiqe. Serbia të pezullojë fushatën idiotekse kundër njohjeve dhe unë do të heq veton për vizat”.

Në vend që të bënte një lëvizje taktike për të marrë diçka bëri një kokëfortësi dhe sot Kosova nuk ka akoma vizat. Dhe pastaj gënjeu dhe tha që po më bëjnë presion. Këtë kryeministrin në ikje do ta çoj në gjyq” – tha Rama.



Skip to toolbar