Gjatë takimit me ambasadorët në vendin tonë ka kërkuar ndihmë edhe për hetimin administrativ për pallatet dhe banesat e konsideruara të rrezikshme, pasi sipas tij, fillimisht do të bëhet një hetim administrativ dhe më pas një hetim penal për të gjitha ndërtesat me probleme. “Kemi nevojë të punojmë dhe të planifikojmë bashkë. Ekipi i kancelares Merkel, kanë qenë aktivë që në momentin e parë. Investigimi i banesave të bëhet me ‘4 sy’, dy shqiptarë dhe dy të huaj. Ka vende që janë përballur me tërmete shumë më të fuqishme se ky i joni. Duhet të sigurohemi që të gjithë të jenë në tenda, si ato që na sollën italianët. Nëse secili përpiqet për këtë, mund të bëjmë më të mirën për këta njerëz. Do të doja që opozita të bashkohet me ne, i kam ftuar për të ndarë idetë”, deklaroi Rama.
Më tej, ai tha se është koha që të përballemi me sfidën, për të marrë vendime në të mirë të vendit. “Na duhet të mendojmë për një konferencë donatorësh nga të gjitha shtetet. Duhet t’u kthejmë vendin njerëzve, jemi goditur emocionalisht nga vendimi i BE. Të punojmë për t’u treguar njerëzve që e ardhmja është këtu. Kemi Çuçin në terren, një burrë fjalë pak dhe punë shumë. Na ndihmoni dhe na jepni dijet më të mira që keni për këtë. E di që paratë janë thelbësore, por dija është themelore për të shpenzuar paratë në mënyrën më të mirë”, tha kryeministri.