Kryeministri Rama vetëm pak ditë më herët u bëri thirrje të gjithë ndërtuesve të marrin përgjegjësitë dhe të riparojnë dëmet e shkaktuara në pallatet e ndërtuara prej tyre, ndryshe do dalin para drejtësisë. Ndërsa zëvendës kryeministri Erjon Braçe shprehu shqetësimin se asnjë ndërtues nuk është paraqitur në Tiranë për të riparuar dëmet e tërmetit dhe se banorët e pallateve kanë nisur t’i kryejnë vetë riparimet.
“Mua më duket sporadike paraqitja e aq ndërtuesve, ndërsa në Durrës janë paraqitur aq sa thatë ju, në Tiranë nuk është paraqitur asnjë. Askush nga ndërtuesit nuk kanë marrë përgjegjësi. Procesi në Tiranë duhet të vihet nën kontroll dhe të mos lejohen qytetarët të kryejnë punime që nuk janë të certifikuara. Këtu në Tiranë unë kam marrë një seri shqetësimesh, shqetësime me atë që nuk duken, kryesisht me garazhe, ku janë sharruar kolona. Janë raste sporadike, por ne duhet t’u përgjigjemi së bashku me ata që janë përgjegjës, pra me ndërtuesit. Nuk kanë përmasën e Durrësit as në sasi, por as në përmasën e dëmit. Duhet t’u japim garanci njerëzve”, tha Braçe.
Vetëm pak ditë më herët Kryeministri Rama u kërkoi ndërtuesve që të marrin përgjegjësitë ndryshe do të shkojnë në burg.
“Të riparohen ato mure menjëherë përndryshe ata do t’i çoj unë në ndjekje penale, do jem unë dëshmitar. Qeveria ka për detyrë që të kthejë nëpër shtëpia njerëzit me çdo kusht.
Mendoj se për banesat që janë të pabanueshme, ndërtuesit janë për privim lirie. Por gjykata do vendosë. Ajo që bëjmë ne është që këta ndërtues, ku ka dëme të mëdha për shkak të ndërtimit, Prokuroria t’i dërgojë në gjykatë. Në raste kur ka dëmtime, duhen bërë rikonstruksione. Aty ku ka dëme të riparohen. Nëse riparoni, do të qetësoni edhe ndërgjegjen tuaj”- deklaroi Rama.