Kryeministri Edi Rama i ka dërguar presidentit Ilir Meta emrin e ministres së re të Arsimit për ta dekretuar në këtë post pas largimit të Besa Shahinit.
Deputetes socialiste iu besua një post në kabinetin qeveritar pas 7 vitesh angazhimi me Partinë Socialiste si deputete në Elbasan.
Por emri i Kushit duket se nuk ka hasur në rezistencën e njohur të Ilir Metës. Ky i fundit ka firmosur dekretin pak minuta pasi i mbërriti propozimi nga Rama.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës kishte 7 ditë afat për t’u shprehur me dekret lidhur me propozimin që vjen për ndryshimet në qeveri.
Evis Kushi është diplomuar në vitin 1997 për administrim-biznes në Universitetin e Tiranës. Në 2008 ka marrë gradën shkencore doktor (PHD) në Ekonomiks në Universitetin e Staffordshire në Angli. Dy vjet më vonë mori titullin “Profesor i Asocuar,” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe më pas “Profesor” në Universitetin Bujqësor.