Në konferencën e përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij, Avdullah Hoti, Rama komentoi një nga pikat e marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës e Serbisë për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.
I pyetur nëse nga kjo pikë përfitonte më shumë Serbia, Rama nuk nguroi t’i dalë në krahë marrëveshjes dhe të thumbojë ish-kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Mendimi im për marrëveshjen është i njohur, në respekt të mundimit dhe pyetjes tuaj po e përsëris: Ajo s’ka asgjë të re, është thjesht dhe vetëm konfirmim i atyre që janë diskutuar, dakordësuar dhe nuk janë zbatuar nga procesi i Berlinit. Nga kjo mësimi që duhet nxjerrim është ky: Ka shumë gjëra që duhet t’i bëjëm vet, mund t’i kishim bërë vet nëse s’do ishim kaq kalamanj sa kemi qënë dhe jemi kur vjen puna për të shpërdoruar besimin e atyre që na kanë zgjedhur, jo që të fitojmë më shumë por që të hapim luftëra imagjinare që shkojnë në absurdin e luftrave imagjinare me SHBA.
E rëndësishme është t’i bëjmë gjërat, e ka thënë dhe stërthënë Franca, Gjermania e thotë edhe Amerika. Kam kohë që e them, por kush nuk më dëgjon mua le të ndjekë BE dhe SHBA, jo se na e kërkojnë ata, por se është vija e vetme që na e imponojnë fëmijët tanë dhe brezat. Çdo rrugë tjetër të çon në qorrskokak. Kosova nuk ia ka borxh asnjë revolucionari që përdor dhimbjen e plagëve të Kosovës në interes të politikës së tij. Unë e di si i bën Albini llogaritë nga pikëpamja ekonomike, por si mund të thuash që nga hekurudha nuk përfiton ai që ka portin dhe kryen gjithë atë volum tregtar dhe përfiton një nga aktorët që shfrytëzon portin me siguri këtë e gjen vetë Albini”,- tha Rama.
Sa për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe nëse Shqipëria do bëjë të njëjtën gje, Rama tha se Shqipëria mbështet linjën e Bashkimit Europian.
“Shqipëria është vetmi vend në Europë ku hebrenjtë kanë gjetur siguri të madhe, asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve. Ka ndodhur që shqiptarët janë dorëzuar në vend të tyre. Ne kemi respekt të madh për Izraelin, por Shqipëria në këtë aspekt është komplet e linjëzuar me BE”,- tha Rama.
Kujtojmë që Izraeli, me ndihmën e Amerikës, po përpiqet ta çimentojë sovranitetin e tij mbi Jerusalemin dhe po bënë përpjekje diplomatike që sa më shumë shtete, sidomos të Europës, t’i transferojnë ambasadat e tyre nga Tel Avivi në Jerusalem. Deri tani, asnjë shtet europian nuk e ka bërë këtë. Kosova dhe Serbia janë shtetet e para nga shtetet e Europës që do ta përmbushin këtë kërkesë.
